Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), Rafael Grossi, do të vizitojë së shpejti centralin bërthamor në rajonin rus Kursk, i cili kufizohet me Ukrainën dhe është objekt i një ofensivë ukrainase.
“Ne mund ta konfirmojmë” këtë vizitë “javën e ardhshme”, deklaroi të enjten për AFP një zëdhënës i agjencisë, pa ofruar detaje të tjera, ndërsa inkursioni i nisur më 6 gusht rrezikon një central bërthamor lokal, sipas agjencisë bërthamore ruse Rosatom.
AIEA ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” rreth sitit disa ditë më vonë, ndërsa luftimet po bënin kërdinë afër tij, “për të shmangur një aksident bërthamor që mund të ketë pasoja të rënda radiologjike”.
Rafael Grossi deklaroi në atë kohë se ishte “në kontakt personal me autoritetet kompetente të të dy vendeve” për të “vazhduar të informojë komunitetin ndërkombëtar” për situatën, për të cilën rusët thanë se ishte nën kontroll në atë moment.
Që nga fillimi i luftës, AIEA ka paralajmëruar rregullisht për rrezikun e një aksidenti bërthamor, veçanërisht në centralin elektrik Zaporojie në Ukrainë, i cili është okupuar nga Moska që nga marsi 2022.
Aktualisht i ndalur, ai ka qenë objektivi i disa goditjeve të përsëritura, për të cilat Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën.