Historia e rrallë e tre vëllezërve Dhelpra, përbën ndoshta një rast unikal në historinë e sportit të mundjes, jo vetëm në Shqipëri, por madje në të gjithë botën. Hajriu, Sherifi dhe Gazmendi, tri legjenda në sportin e njohur dhe me tradita të lashta të mundjes në stilin greko-roman, që ndryshe në njihet me termin e mundjes klasike.
Një histori e madhe, e mbushur plot emocione, dhe mbi të gjitha me dhjetëra trofe dhe tituj kampionë, si në garat ekipore ashtu edhe në ato individuale. Tre vëllezërit e mirënjohur, falë talentit të lindur, por edhe punës sistematike dhe profesionalizmit të lartë, kanë konkurruar në tapetet e mundjes shqiptare, për t’u dhuruar emocione për shumë vite me radhë dashamirësve të këtij sporti në vendin tonë. Vëllezërit Dhelpra kanë rrëfyer ekskluzivisht për “Panorama Sport” të gjithën jetën e tyre sportive, momentet më të bukura dhe më pikante. Tre kampionët nga Berati, që me numrin 3 i lidh edhe diferenca e viteve që kanë nga njëri-tjetri. Të lindur në një familje qytetare beratase, pasioni për sportin nuk ka qenë edhe aq i rastësishëm në familjen e tyre, pasi babai Luto Dhelpra në vitet 30-të të shekullit kaluar, kishte marrë pjesë duke garuar në sportin e atletikës. Tre djemtë kishin fizikun një veçanti dalluese në raport me moshatarët e tyre. Fillimet e tyre në sport çuditërisht nuk lidhen me mundjen, pasi do ta nisnin nga peshëngritja dhe futbolli për një periudhë të shkurtër, për ta kaluar më pas në disiplinën ku do të shkruanin historinë, siç është mundja. Ja si e përshkruajnë rrugëtimin e tyre të gjatë në sportin e mundjes klasike, vëllezërit Dhelpra, Hajriu dhe Gazmendi.
HAJRI DHELPRA – “Kishim biseda të gjëra për sportin në familje, dhe nga babai kemi mësuar shumë për emocionet dhe edukimin që vinte nga të ushtruarit me sport. Që në moshë të vogël nisëm të ishim aktiv në mes moshatarëve tanë dhe kryesisht në klasat sportive. Isha 14 vjeç kur mësuesi i njohur i gjimnastikës me origjinë nga Kosova, Tahir Gogu, më kontaktoi dhe më sugjeroi të ushtrohesha në sport, ku unë zgjodha fillimisht futbollin, madje duke lënë gjurmë në kampionatin e lagjeve të qytetit. Aq sa ish trajneri i mirënjohur i futbollit Guxim Mukli, që më pas bëri histori me Tomorin, më përzgjodhi duke më bërë pjesë të ekipit të moshave, por që kjo nuk zgjati shumë. Trajneri emblemë i mundjes beratase Sotiraq Kule, një ditë më takon mua dhe Sherifin dhe na ftoi në sportin e mundjes”, tregon Hajri Dhelpra, teksa më pas flet për debutimin në tapet: “Pas 5-6 muaj stërvitje erdhi gara ime e parë zyrtare.
Ndeshjet zhvilloheshin në skenën e pallatit të kulturës, ku kam zënë vendin e parë, ndërsa në garën e dytë në Korçë u rendita i dyti, por kisha si të veçantë aktivizimin paralel edhe me të rriturit. Në vitet 75-77 shkoj ushtar në Durrës, ku për dy vite nuk u aktivizova me asnjë ekip, gjë që më mërziti shumë. Por unë vazhdoja të stërvitesha dhe mu dha rasti që në kampionatin e ushtrisë midis Divizioneve, konkurrova me emrat më të njohur të peshës sime të mundjes, gara të karakterit kombëtar ku aktivizoheshin edhe sportistët më të mirë që ishin duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, tregon Hajri Dhelpra, i cili më pas flet për rikthimin në ekipin e qytetit: “Rikthimi te Tomori përkoi me ngjitjen në kategorinë e parë, dhe në Berat sporti i mundjes mori një kthesë të madhe në rezultate, sepse kishim në ekip mundës të talentuar dhe një trajner të njohur si Sotiraq Kule, që së bashku me trajnerin Agron Musaraj, dhe dyshen Ibrahim Keli dhe Dajti Qafa te moshat, e kanë ngritur nivelin e mundjes duke qenë shumë konkurrues me ekipet më të mira të Shqipërisë.
Personalisht e nisa te peshat e rënda konkurrencën me mundës elitarë dhe kampionë të kohës si Mark Curri, Nikoll Grima, Seit Fishta, Iliaz Guri, Paulin Sterkaj, Piro Kokalari, Fidel Ylli etj. Një shtysë më shumë në ambicien time profesionale, ka qenë fitorja me tuç në finalen e Spartakiadës kombëtare ndaj Iliaz Gurit, që më mbajti më pas në nivele të larta në peshat e rënda, deri në momentin kur u ndava me tapetin si mundës aktiv. Kulmi i karrierës sime, padyshim ka qenë titulli kampion si ekip me Tomorin, i fituar në Shkodër në vitin 1982 si dhe fitimi i Kupës së Republikës në Elbasan në vitin 1985, ku veçantia qëndronte te pjesëmarrja dhe kontributi ynë, i të tre vëllezërve. E paharruar mbetet edhe pritja madhështore përpara 7-8 mijë tifozëve në stadiumin e qytetit, ka qenë një emocion i papërshkrueshëm”.
EKSPERIANCA SI TRAJNER – “Gjatë një gare ndërkombëtare të zhvilluar në Greqi, ku ndodhesha së bashku me Abedin Lamen me detyrën e dyfishtë të sportistit dhe trajnerit, unë pësova një dëmtim të rëndë në shpatull. Ky ishte një moment i vështirë, pasi jam ndiet keq për faktin se askush nga federata asokohe nuk i interesua për shëndetin tim, që për vite me radhë kisha dhënë shumë për sportin. Megjithatë vijova detyrën si trajner i Tomorit dhe kemi patur rezultate të larta nga periudha 1994-2000, ku renditeshim gjithnjë në tri vendet e para. Kishim një brez të artë kampionësh të rinj të talentuar. Si trajner kam edhe një peng për një kampionat të zhvilluar në Korçë. Në ndeshjen vendimtare që Tomori fitonte titullin kampion, ndaj ish kampionit tonë, Hektor Frataraku, është gjykuar njëanshmërisht vetëm për të na hequr titullin që e meritonim plotësisht në tapet”, shprehet Hajri Dhelpra,
GAZMEND DHELPRA
Vëllai vogël në familjen e kampionëve Dhelpra, Gazmendi, edhe ai fillimet i ka në një tjetër sport, teksa e nis me futbollin, për të kaluar më pas në tapet, ku do të shënojë një karrierë të madhe.
“Ashtu si vëllai im i madh Hajriu, edhe unë nuk bëra përjashtim në fillimet e mia në sport, pasi në moshën 9-10 vjeçare u regjistrova në futboll me trajnerin e mirënjohur Zoi Ikonomi. Por futbolli për mua ishte diçka kalimtare, pasi i shtyrë nga shembulli i dy vëllezërve të mi, Hajriut dhe Sherifit, bëhem pjesë e mundjes. Pas katër viteve stërvitje intensive, në korrik 1975 zhvillohet në Durrës kampionati i parë kombëtar për pionierë ose paratërinj, dhe jo vetëm që u shpalla kampion, por u vlerësova edhe me Kupën si mundësi më i mirë i aktivitetit në peshën 52 kg.
Ky sukses më lumturoi dhe më dha krahë, por dhe më futi në pozita pune, sepse kalova direkt te të rinjtë, ku në garën e parë zyrtare u rendita në vendin e tretë, që për një 14 vjeçar natyrshëm përbënte sukses. Në moshën 16 vjeçare, prindërit vendosin të më çojnë në shkollën 2-vjeçare profesionale në Shkozet të Durrësit, por mendja ime ishte te mundja, dhe aty nuk e pata aspak të vështirë kontaktin me drejtuesit e Lokomotivës, sepse dy vite më parë kisha shkëlqyer po në Durrës si më i miri i vendit. Kështu që vajtja ime ishte sa gëzim aq edhe u bë problem se me cilin ekip do të përfaqësoja, se nga njëra anë trajneri Lokomotivës, Muhamet Kacufi, mbronte argumentin që në Durrës bëja shkollën, dhe në krahun tjetër trajneri Tomorit Ibrahim Keli më donte për ekipin e vendlindjes.
Gjithçka u kthye në problem, dhe federata më pezulloi për 1 vit, por stërvitjen nuk e ndalova për asnjë çast. Në Durrës kisha shumë miq dhe adhurues. Kur më lejuan u shpalla kampion me të rinjtë, ndërsa pas përfundimit të shkollës, kthehem në Berat ku kaloj direkt me të rriturit, duke i bashkuar në ekip me dy vëllezërit e mi. Në nëntor 1982 në Durrës si për koincidencë zhvillohet kampionati kombëtar individual. Aty shpallem kampion kombëtar për të rritur, duke fituar me tuç ndaj një emri të madh vendës si Rexhep Leka (Kepi) në një pallat sporti të tejmbushur, ku dhjetëra dhe qindra tifozë durrsakë më kanë mbështetur mua personalisht në këtë sukses të parë me të rriturit. Më pas karriera ime ka njohur vetëm rritje dhe rezultate të larta”, rrëfen Gazmend Dhelpra.
OFERTA E ÇMENDUR
Më pas ish-kampioni i mundjes flet për kalimin te Dinamo dhe ofertat e çmendura financiare të kohës, për kombëtaren, si dhe për dëmtimin pësuar nga Paulin Sterkaj në ndeshjen e kontrollit. “Suksesi tek Tomori kishte shërbyer ndjeshëm për të rritur ambiciet e mia profesionale, dhe për shkak edhe të vazhdimit të studimeve të larta, më detyruan që të zgjidhja një nga ekipet e kryeqytetit. Kam patur oferta dhe lutje nga më të ndryshme që të zgjidhja ekipet e tyre. Aq sa në një moment, më kanë ofruar pagesa deri në 30 mijë lekë në muaj vetëm të nënshkruaja, çka për kohën dhe një student ishte një ofertë vërtetë e majme dhe joshëse. Vendosa për Dinamon, sepse këtë ma sugjeroi dhe ma kërkoi vëllai im i madh Jakja, dhe aty gjeta kushte të shkëlqyera, një trajner të respektuar si Vladimir Hibro, Nikoll Grima, me sportistë të nivelit të lartë si Agron Kryekurti, Meleq Zajmi, Fidel Ylli, Adrian Petrela, zyrtarë model si Sokol Morina, Faruk Sejdini, Bejkush Birçe, Iljaz Çeço, Besnik Kodra.
Dinamo ishte një klub model dhe me kushte të shkëlqyera, ku organizimi ishte në perfeksion, ndërsa gjatë verës stërvitja në konvaleshencë ishte një privilegj për kohën. Te Dinamo suksesi ishte i dukshëm, sepse dola 7 herë kampion si individ dhe si ekip, por edhe fitues i Kupës Republikës, me të veçantën se të gjitha sukseset i kam pa lëvizur nga pesha ime 82 kg, aq sa kam patur edhe kundërshtar të njohur, që ndryshonin peshën për të mos u ndeshur me mua. Ndërsa suksesi më ndiqte gjithandej, aq sa kudo që shkoja në çdo ambient më rrethonte fama, dhe u ktheva në një personazh shumë të kërkuar, dhe për shumë figura të njohura të artit, sportit dhe kinematografisë”, tregon Gazmendi, i cili përveç epokës së lavdishme më tej tregon edhe momentet e vështira:
“Gjatë periudhës tek Dinamo kam pësuar edhe dy zhgënjime të mëdha, të cilat ndikuan dukshëm në formën time sportive. Fillimisht pësova një dëmtim në shpatull, ndërsa brenda një periudhe 1 vjeçare 83-84, kam humbur dy prindërit e mi të shtrenjtë, dhe kjo shërbeu si një goditje e madhe psikologjike për mua. Më pas e rimora veten shpejt, dhe u riktheva te suksesi dhe trofetë, por për fat të keq timin, më erdhi një tjetër dëmtim i rëndë. Gjatë grumbullimit të ekipit kombëtar, që përgatitej për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare në Latakia të Sirisë (shteti e anuloi në momentet e fundit pjesëmarrjen), në ndeshjen e kontrollit me mundësin dhe rivalin Paulin Sterkaj, ky i fundit më bënë një goditje me faull në gju duke më lënduar rëndë. Një lëvizje e qëllimshme kjo, që më krijoi probleme, sepse për një periudhë, kam bërë gara me një këmbë dhe kam dalë edhe fitues në mes sakrificave”, rrëfen Gazmend Dhelpra.
KALIMI NË GREQI, NGA GAZI NË KOZMA
Më pas Gazmend Dhelpra flet për hapjen e kufijve dhe kalimin në Greqi, si dhe për miqësinë me Pirro Dhimën: “Vendosa që të provoja aftësitë e mia edhe në Greqi si shumë sportistë të tjerë. Pirro Dhima, me të cilin kisha miqësi te Klubi Dinamo, ndërhyri te punonjësja e ambasadës, e cila më thirri jashtë radhe dhe më dhanë vizën greke. Pirro më kishte prezantuar si mik dhe kampion i vendit në mundjen greko-romane, duke i thënë një punonjësi autoritar të quajtur Jorgo, se unë do të shkoja në Greqi për t’i dhënë titullin kampion Greqisë. E vlerësova shumë ndihmën e tij, dhe këtë ja kam shprehur edhe gjatë takimit në Athinë kur mbërrita në 20 mars të 1991.
Në kryeqytetin grek u akomodova fillimisht te skuadra e Olimpiakosit të Pireut dhe që në garën e parë të kontrollit ata u habitën me nivelin tim. Më pas, me ndihmën e mikut tim dhe ish kampionit të madh Muharrem Berisha, që bënte përkthyesin, u bashkova me ekipin kampion të Greqisë, duke kaluar te Panathinaikosi. U regjistrova me emrin Kozma Foto, që u besua nga grekët dhe më bënë pjesë të aktiviteteve kombëtare. Te Panathinaikosi u shpalla kampion i Greqisë në peshën time 82 kg, dhe mora pjesë në turneun ndërkombëtar të mundjes Kupa Akropol, ku u takova përmallshëm me shokët dhe miqtë e mi shqiptar, midis të cilëve vëllain tim Hajriun dhe trajnerin Abedin Lame. Në këtë aktivitet kishte edhe një episod shumë të veçantë gjatë ndeshjeve të mia.
Shokët e kombëtares shqiptare dhe emigrantët shqiptarë që bënin tifozllëk për mua, brohorisnin “Gazi Gazi”, ndërsa tifozët grekë që dominonin shkallët e pallatit sportit thërrisnin “Kozma Kozma”. Unë isha në siklet të madh, sepse doja të më thërrisnin Kozma, dhe insistoja te shokët e kombëtares që mos më thërrisni Gazi se po më prishni punë. Aty kam parë nga afër dhe kampionin absolut të peshave të rënda, rusin Karolini. Duke shkëlqyer me Panathinaikosin, federata greke vendosi të më federonte për Greqinë në aktivitetet ndërkombëtare, duke pretenduar medalje nga unë. Por në kulmin e karrierës sime, ndodhi më e keqja, pasi grekët i kërkonin Federatës Shqiptare dokumentet e mia me emrin Kozma Foto, dhe kur mësuan të vërtetë që unë quhesha Gazmend Dhelpra, atëherë më larguan nga ekipi dhe projekti i kombëtares helene.
Humba gjithashtu edhe punën dhe pagesën super, si nga sporti, ashtu edhe si truprojë personale e presidentit të Panathinaikosit, Jani Varvilojani. Kështu që u shua një ëndërr e imja, për të kisha konkurruar me më të mirët e botës në atë periudhë, edhe pse mendoj se me pak dashamirësi nga federata dhe zyrtarët e mundjes shqiptare, mund dhe duhej të isha ndihmuar. E them këtë pasi unë dhe familja ime, i kishim dhënë aq shumë këtij sporti, sa që meritoja më shumë respekt si një detyrim moral për karrierën time. Por jeta vazhdon, prej 27 viteve ndodhem në emigracion, me një ëndërr që një ditë të rikthehem sërish në Berat dhe t’i shërbej qytetit në fushën e turizmit, ku dhe jam duke investuar aktualisht”, shprehet Gazmend Dhelpra.
PENGU – A mund të kishte qenë më e pasur karriera e tij me trofe? Ja si përgjigjet në konkluzionin final Gazmend Dhelpra: “Parë nga sasia e trofeve të fituar, si dhe talentit që më karakterizonte, mendoj se kam merituar dhe duhej të kisha fituar akoma më shumë. Por po e deklaroj për herë të parë, si një peng që më mundon edhe në ditët e sotme, se mua nuk më kanë lejuar që të shprehem dhe të meritoj më shumë në karrierë, sepse nga gjyqtarë të veçantë, ka patur poshtërsi dhe paragjykime fetare në raport me disa kundërshtarë, duke më mohuar shumë tituj dhe medalje, të cilat i meritoja me punë dhe talent.
Kjo sjellje dhe këto paragjykime kanë ndikuar në rezultatet e mia. Kur në vitin 1994-1995 u ndanë çmime dhe tituj për mundësit më të mirë, unë refuzova të merrja pjesë në ceremoni, sepse nuk mund të merrja vlerësime dhe tituj nga njerëz që asnjëherë nuk përfaqësonin atë çka meritonte elita e mundjes shqiptare. Pra, ishte një refuzim ndaj mediokritetit dhe padrejtësive që na janë bërë në karrierën time dhe tonën në përgjithësi”, përfundon rrëfimin e tij vëllai vogël në familjen e kampionëve Dhelpra.