Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski thotë se ushtria e Ukrainës tani kontrollon 92 vendbanime dhe më shumë se 1250 kilometra katrorë në rajonin rus të Kurskut. Trupat ukrainase kanë zgjeruar ofensivën e tyre befasuese brenda Rusisë, duke marrë nën kontroll më shumë territor.
Ukraina ka intensifikuar sulmet në rajonin ndërkufitar rus të Kurskut, duke shkatërruar shumë ura në rajon këtë javë për të bllokuar rrugët e furnizimit për ushtrinë ruse.
Rusia sulmoi sërish rajonin kufitar ukrainas të Sumit, duke dëmtuar një numër makinash. Nuk ka pasur njoftime për viktima gjatë sulmit.
Pentagoni tani po sheh një zhvendosje të një numri të vogël forcash ruse në Kursk për të zmbrapsur ofensivën ukrainase.
“Rusia vërtetë është ndeshur me vështirësi në përpjekjet për të reaguar dhe vazhdojmë të shohim përparimin e Ukrainës në këtë drejtim”, tha zëdhënësi i Pentagonit gjenerali Pat Ryder.
Rusia thotë se mijëra civilë janë larguar nga rajoni kufitar i Kurskut. Një gazetare ukrainase, e cila sapo u kthye nga qyteti i pushtuar i Sudzhës, tha për Zërin e Amerikës se forcat e Ukrainës e morën qytetin rus pa shkaktuar shumë dëme në infrastrukturën e tij.
“U befasova kur pashë që vetë qyteti dukej shumë i qetë dhe aty asgjë nuk po ndodhte. Kjo do të thotë se forcat ukrainase kanë përparuar më thellë”, thotë gazetarja Diana Butsko.
Kjo është hera e parë, që një vend pushton territor kaq të madh rus që nga Lufta e Dytë Botërore. Analistët thonë se ofensiva i ka dhënë Ukrainës avantazh.
“Tani kjo u mundëson ukrainasve të ushtrojnë trysni mbi Rusinë. Ky është një turpërim për Kremlinin”, thotë analisti Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Por ndikimi i kësaj ofensive në rrjedhën e luftës brenda Ukrainës mbetet i paqartë.
“Shumë nga forcat që rusët po përdorin për t’u mbrojtur kundër këtij inkursioni në rajonin e Kurskut po vijnë nga Rusia. Ata nuk po tërhiqen nga vija e frontit në Ukrainë, me përjashtim të një numri të vogël ushtarësh”, thotë analisti amerikan Charles Kupchan.
Ukraina tha se e mbajti të fshehtë planin e saj nga aleatët, sepse shumë prej tyre mund të ishin përpjekur ta konsideronin atë si jorealist. Pentagoni thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm luftën e Ukrainës për liri.