Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën se kanë miratuar shitjen e deri në 36 helikopterëve sulmues Apache dhe pajisjeve përkatëse në Korenë e Jugut, për një shumë totale prej afërsisht 3,5 miliardë dollarë, transmeton France Presse.
Ky shitje e armëve, që përfshin edhe raketa, ka për qëllim të ndihmojë këtë aleat kyç të Uashingtonit në Azi për të përmirësuar aftësinë e tij për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme me “një forcë të aftë për të dekurajuar kundërshtarët,” thuhet në deklaratën e Agjencisë Amerikane të Bashkëpunimit për Mbrojtjen (DSCA).
Transaksioni, në përfitim të prodhuesve amerikanë Boeing dhe Lockheed Martin, do të “forcojë sigurinë e një aleati të madh që është një forcë për stabilitetin politik dhe progresin ekonomik në rajon,” ka theksuar ekzekutivi amerikan.
Pas miratimit të Departamentit të Shtetit, DSCA ka dërguar, sipas ligjit, një njoftim Kongresit, i cili duhet të japë miratimin përfundimtar.
Ky njoftim vjen në ditën e parë të stërvitjeve të zakonshme vjetore ushtarake që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut zhvillojnë së bashku, me synimin për të kufizuar kërcënimin bërthamor nga Koreja e Veriut. Stërvitja, e quajtur “Ulchi Freedom Shield,” do të zhvillohet deri më 29 gusht.
Uashingtoni është aleati kryesor i sigurisë së Seulit, dhe afërsisht 28,500 ushtarë amerikanë janë të stacionuar në Korenë e Jugut për ta mbrojtur atë nga fqinji i tij i armatosur bërthamor.