Australia dhe Indonezia njoftuan të martën se kishin rënë dakord për një marrëveshje të mbrojtjes që premton bashkëpunim më të ngushtë dypalësh, gjatë një vizite në Canberra nga ministri aktual i mbrojtjes dhe presidenti i ardhshëm indonezian, Prabowo Subianto, raporton AFP.
Marrëveshja parashikon stërvitje të përbashkëta dhe lejon ushtritë e të dy vendeve të kryejnë operacione ushtarake në territorin e tjetrit.
Ministri australian i Mbrojtjes Richard Marles tha se marrëveshja, e cila do të nënshkruhet zyrtarisht në ditët në vijim, është një nga marrëveshjet më të rëndësishme të negociuara ndonjëherë midis dy fqinjëve.
“Ky traktat historik (…) do të përbëjë një element thelbësor të mbështetjes reciproke të dy vendeve tona në çështjet e sigurisë,” tha kryeministri australian Anthony Albanese.
Prabowo Subianto tha se dëshiron të forcojë lidhjet me Australinë, duke theksuar nevojën për ndihmë në fusha të tilla si bujqësia dhe trafiku ndërkombëtar i drogës.
I zgjedhur president në shkurt, Prabowo Subianto, një ish-gjeneral me një të kaluar ushtarake të diskutueshme, do të pasojë Joko Widodo, me nofkën Jokowi, në krye të ekonomisë më të madhe të Azisë Juglindore në tetor. Nënkryetari i tij do të jetë Gibran Rakabuming Raka, djali i presidentit aktual.