Në pjesëmarrjen e fundit në Forumin Strategjik të Bled-it, vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian – për të promovuar de-përshkallëzimin më të shpejtë, duke përfshirë shtyrjen e mbështetjes së re financiare – në qershor të 2023-ës kanë pasur efekte të dëmshme te qytetarët, në sektorin e biznesit dhe institucionet shtetërore në territorin e Kosovës.
“Është e vërtetë që qytetarët po i vuajnë këto masa, komuniteti i biznesit por edhe agjencitë shtetërore në aspektin e marrëveshjes së stabilizim asocicimit, e cila nuk po ecë tutje. Të gjitha grantet janë pezulluar, dhe heqja e këtyre masave është gjëja e duhur që duhet ta bëjë BE-ja.” – ka deklaruar Kurti.
Ndërsa qeveria e Kosovës i ka etiketuar vazhdimisht sanksionet si “të padrejta”, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kishte lëshuar tashmë një parashikim të zymtë në fund të vitit të kaluar, duke paralajmëruar se pasiguria ekonomike mund të jetë e thellë.
Një vit më pas, kur Kosova po priste një vendim të bllokut që tërheq masat ndaj Kosovës, veprimet – e njëanshme të Qeverisë së Kosovës sipas BE-së – në veri të vendit me mbylljen e nëntë zyrave postare të Postes Serbe, duket se e përmbysi tërë procesin e nisur të bllokut për heqjen e masave.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë të fundit, konfirmoi se sanksionet mbeten në fuqi. Ai shprehu shqetësimin se mungesa e koordinimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe lëvizjet e saj të pavarura në veri mund të shtojnë më tej këto masa.
“Masat [ndaj Kosovës] janë ende në fuqi sepse shtetet anëtare nuk kanë vendosur për të vepruar bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë që iu dorëzua atyre disa javë më parë, gjë që nuk është çudi sepse masat u vendosën në qershor të vitit të kaluar ndaj Qeverisë në Prishtinë për shkak se po ndodhnin shumë gjëra që çonin drejt eskalimit.
Në vend të hapave deeskalues, gjithnjë e më shumë hapa të njëanshëm dhe hapa që çojnë në eskalim janë ndërmarrë nga këta njerëz. Masat mbesin ende dhe theksuam në atë kohë që masat janë progresive. Mund të shtohen, mund të reduktohen varësisht nga zhvillimi i situatës”, deklaroi Stano.
Vetëm 6 muaj pas vendosjes së masave, Kreditori Ndërkombëtar kishte paralajmëruar “pasoja”.
Sipas FMN-së, efekti i masave do të vërehej më vonë sepse, sipas raportit, nuk zbatohet për projekte apo iniciativa që në atë kohë ishin në zhvillim, por se ato mund të kenë një “ndikim të madh” në afat të gjatë nëse nuk largohen.
Në atë botë, FMN paralajmëroi se “ato mund të kenë një ndikim të rëndësishëm afatgjatë nëse qëndrojnë.”
Ndërsa Kosova shënon më shumë se një vit nën këto sanksione të BE-së, kërcënimi i shtimit të masave duket i madh, me BE-në që vëzhgon nga afër lëvizjen e radhës “të njëanshme” të Qeverisë.