“Unë nuk lexoj lajme, unë bëj lajme”, pati thënë tërësisht i papreokupuar me krejt çfarë po ndodhte drejtori me librezë partie të Vetëvendosjes, i RTK-së, Rilind Gërvalla, pas publikimit të një artikulli të rremë nga një media rekordthyese për lajme të rreme boshnjake, Sllobodna Bosna, ku pa as edhe një grosh fakti a prove, akuzonte mediat për gjoja të financuara nga Serbia.
Ky artikull i dhënë thjesht-ashtu pa as një pikometër profesionalizmi e etike tashmë veçse ka shkaktuar tronditje në televizionin publik ku më së fundi u dorëhoqën edhe Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe anëtarja e bordit, Arta Berisha; pas dorëheqjes nga pozita e redaktorit Jeton Musliu dhe U.D drejtoresha Zana Spahiu.
Komisioni ad-hoc që qe formuar për të zbardhur në dritë të diellit krejt atë çfarë kishte ngjarë me atë lajm të porositur e publikuar nga Rilind Gërvalla, gjeti një mal shkeljesh profesionale dhe etike; për çka Gërvalla ishte i bindur se do të rezultonte e kundërta. Por, as kjo s’ia ka lënë shenjë në ndërgjegjen profesionale dhe morale Gërvallës.
Sot, Boletini i dorëhequr dha edhe prapaskenat e tij. Shkarkimi i Gërvallës u pamundësua. T’i hymë me rend shpjegimit të tij…Numër një: e nisi me raportin e komisionit, raport të cilin bordit deshën t’ia mbajnë nën çilim. Kush? Adi Krasta.
“Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, tregoi Boletini.
Në këtë predikament, sipas Boletinit, “Bordi i kishte duart e lidhura” dhe synohej vendosja e një ushtruesi detyre të RTK-së për të adresuar me urgjencë problemin. Edhe kjo u pamundësua.
“Qëndrimi ishte që ai ta adresojë me urgjencë raportin e komisionit dhe të marrë masat sipas ligjit dhe rregulloreve, të bëhet një komunikatë dhe të kërkohej falje ndaj dy mediave të apostrofuara dhe rasti të merrte epilog shumë shpejtë. Ishte një përpjekje e fundit e imja”, tregoi Boletini.
Pamundësia erdhi përmes mosvotimit. Pse? Boletini e dha që “disa anëtarë” që nga fillimi kanë provuar që artikullim e rremë ta kalojnë thjesht ashtu pa ndëshkuar askënd përgjegjës.
“Ne si bord kishim në përgjegjësi suspendimin e drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe, Rilind Gërvalla dhe të sqarohet mirë situata për vendim final. Kjo gjë u bë e pamundur nga tre anëtarët tjerë, ishin kundër kësaj mase, (Albulena, Dardani dhe Radojica). Disa kishin tendenca për ta paraqitur shkrimin si korrekt dhe vetëm si një përkthim”, tregoi ai.
Krejt artikulimi i prapaskenave nga Besnik Boletini përkthehet në një shëmbëlltyrë ku, aty brenda, ngazëllen Rilind Gërvalla pavarësisht gjithçkaje.
“Prandaj, në rrethanat kur: -Shkeljet janë evidente dhe të dëshmuara dhe bordi u gënjye nga stafi editorial; -Zëvendësdrejtori që i ka përgjegjësitë e drejtorit nuk merr masa; Bllokohet tentimi për të emëruar një u.d që merr masa – duart janë të lidhura dhe qëndrimi i mëtutjeshëm është i paefektshëm dhe i pakuptimtë”, tregoi ai.
“RTK në këtë periudhë dy vjeçare ka pasur progres të mirë. Janë bërë punë të mëdha. Ishte sfiduese. Për mua ka qenë angazhim shtatë ditë në javë. Plani i reformës ka qenë i qartë dhe duhej edhe pak që RTK-ja ta bëjë hapin e madh. Shpresoj këtë ta bëjnë ata që mbetën e ata që vijnë”, përfundoi Boletini.
Në dorëheqjen e anëtares së Bordit, Arta Berisha, kjo e fundit u shpreh se ishte e papranueshme mosndëshkimi pas shkeljeve profesionale të RTK-së, transmeton nacionale.
“Duke qenë mbështetëse e standardeve profesionale në gazetari, të cilat i kam respektuar maksimalisht qoftë si gazetare aktive, qoftë si anëtare e Bordit të RTK-së, për mua ka qenë e paparanueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së”.
“Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme. Shpresoj se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK”, shkroi Berisha.
Reagimet e shumta
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj u shpreh i zhgënjyer me figurën mediatike aq të trumbetuar për profesionist në Shqipëri si Adi Krasta.
“Adi Krasta është një figurë e nderuar në publikun shqiptar në Shqipëri. Të gjithë i duam monologjet e tij, të gjithë jemi impresionuar nga guximi që ai ka në Shqipëri për t’iu kundërvënë pushtetit.” – ka shkruar Myzyraj.
“Po i njëjti me shumë pushtet në Kosovë (Zv.Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës) është duke treguar krejt të kundërtën e asaj që ka thënë e bërë në Shqipëri. Ky është zhgënjim i madh.” – ka shkruar Myzyraj.
Për Boletinin, në anën tjetër, u hoqën kapelat. Gazetarja Saranda Ramaj, shkroi Boletini sot dëshmoi se ‘nuk është oportunist’ dhe se ‘parimet profesionale i vlejnë më shumë se pozitat’. Ky reagim erdhi menjëherë pas dorëheqjes së Besnik Boletinit nga pozita e kryetarit të Bordit të RTK-së, pas lajmit të rremë të publikuar kundër Nacionales dhe Periskopit.
“Besnikun e njoh si profesionist te pakten qe 1 dekade. Personalisht e njoh shume pak. Si gazetar Besniku ka qene nje nga me te miret. Pervec se e dine cfare eshte lajmi e cka eshte gazetaria ne pergjithesi, ai sot ka deshmuar qe nuk eshte oportunist dhe se parimet profesionale i vlejne me shume se pozitat. Jo te gjithe gazetaret do ta benin nje zgjedhje sic e beri sot Besniku. Bravo Besnik Boletini”, shkruan Ramaj.