Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë më 9 shkurt 2025, pas një debati të zgjatur mes pozitës dhe opozitës, paraqet një zhvillim të rëndësishëm politik që reflekton tensionet dhe ndasitë brenda spektrit politik të vendit.
Mandati i tanishëm u përcoll me shumë mosmarrëveshje, keqfunksionim të Kuvendit dhe izolimin e kryeministrit Albin Kurti për shkak të përplasjeve të tij me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse nuk po i kordinonte veprimet.
Vendimi i Presidentes Vjosa Osmani për të caktuar këtë datë mes propozimeve të opozitës për 26 janar dhe të pozitës për 2 shkurt tregon përpjekjet e për të gjetur një kompromis, megjithëse nuk është e qartë nëse ky vendim do të qetësojë plotësisht tensionet politike.
Pas shqyrtimit të të gjitha qëndrimeve, 9 shkurti 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira. Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka cilësuar të panevojshme shtyrjen e datës së zgjedhjeve për 9 shkurt dhe jo më 26 janar siç kishte propozuar ai si kryetari PDK-së. Mirëpo e ka mirëpritur edhe këtë datë, të cilën e ka cilësuar si ditë kur do të ikën qeveria e papërgjegjshme e Albin Kurtit dhe ardhja e qeverisë së aftë të kandidatit të PDK-së për postin e kryeministrit, Bedri Hamzës.
Përçarja e madhe dhe izolimi i kryeministrit
Gjatë këtyre katër vjetëve, punët me njëri-tjetrin i kanë prishur Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët erdhën në pushtet përkrah njëri-tjetrit. Njëri për t’u bërë kryeministër, tjetra presidente.
Në muajt e fundit më shumë ka pasur shenja të përçarjes sesa pajtimit. Presidentja e ftoi Kurtin si kryetar partie që të diskutonte për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, por Kurti nuk shkoi, ani pse ishte në Prishtinë. E delegoi Glauk Konjufcën, por presidentja u arsyetua se takimi ishte vetëm me kryetarët e partive politike.
Edhe të premten kur ka nënshkruar dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve, presidentja Osmani në prapavijë kishte vendosur një libër me titull “Amerika”, si mesazh se qëndron në linje me SHBA-në dhe në krahun e majtë të fotografisë shihet portreti i presidentit Ibrahim Rugova.
Qëndrimi i Osmanit në linjë me aleaten e saj më të madhe, Amerikën dhe komunikimi i zyrtarëve më të lartë amerikanë me të, ka shënuar fillimin e fundit të lidhjes që i ngriti në pushtet.
Secili zyrtarë amerikanë që vizitoi Kosovën patën kritika ndaj Kurtit. Thanë se SHBA-ja është duke u sfiduar nga ai. Këtë e ka konfirmuar të hënën edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ambasadori amerikan ka folur për çështjen e urës së Ibrit dhe ka shtuar se cilësia e partneritetit nuk është ajo që shpresonte SHBA-ja.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti ishin të ftuar në darkën e organizuar nga presidenti Emmanuel Macron si nikoqir i Lojërave Olimpike.
Burimet thonë se Kurti dhe Osmani ishin takuar, por të dy kishin shmangur njëri-tjetrin në postimet me fotografi me liderë të ndryshëm që morën pjesë në darkë.
Vjosa Osmani duket se e ka fituar ‘kontestin’ me Albin Kurtin për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare. Pas mosmarrëveshjes që e kishin pasur për këtë çështje, presidentja nga Washingtoni theksoi së fundmi se është ajo që udhëheq politikën e jashtme dhe se është “gjëja më normale” që ftesat po i vijnë asaj. Ajo në SHBA konsiderohet “garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe”. Diplomatët amerikanë kanë thënë publikisht se kanë “problem komunikimi” me kryeministrin.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk konsiderohen më një tandem. Mosmarrëveshjet ndërmjet tyre kanë një kronologji me fërkimet e para që kishin nisur për çështjen e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndryshme ndërkombëtare.
Osmani, e cila në SHBA konsiderohet “garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe”, të hënën shkoi në Washington D.C. me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili u mbajt në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake.
Përfaqësuesit e lartë të kryeqendrës amerikane kishin thënë se kanë “problem komunikimi” me Kurtin, i cili është akuzuar se s’i dëgjon këshillat e aleatit kryesor.
Dhe gjatë verës ai është marrë me korrjeshirjet, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin.
Keqfunksionimi i Kuvendit
Opozita, e cila prej një viti kërkon zgjedhje të parakohshme, ka qenë kritike ndaj qeverisë dhe e shqetësuar për mënyrën e qeverisjes së vendit.
Thirrja për zgjedhje të parakohshme është bazuar në pretendimet e tyre se qeveria aktuale nuk po përmbush pritshmëritë e qytetarëve dhe se ka nevojë për një mandat të ri për të rifituar legjitimitetin politik. Kjo kërkesë përshpejtoi debatin për datën e zgjedhjeve, duke thelluar polarizimin politik, transmeton paparaci.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, e cila është në pushtet, u përpoq të gjejë rrugë për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, duke ftuar partitë politike në një darkë për të diskutuar mbi çështjet e rëndësishme për vendin.
Megjithatë, pjesëmarrja vetëm e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tregon mungesën e një konsensusi të gjerë dhe një ndarje të qartë politike, ku partitë e tjera të opozitës refuzuan të bashkëpunojnë në këtë iniciativë.
Këtë darkë, PDK-ja e ka shfrytëzuar për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme, për të cilat asnjëra parti nuk ishte e gatshme.
Ndërkaq, gjatë sesionit pranveror, Kuvendi ka mbajtur 22 seanca, gjatë të cilave janë miratuar vetëm 36 ligje.
Në po të njëjtën periudhë janë miratuar shtatë rezoluta, gjashtë rekomandime, një deklaratë dhe një status.