“Invitation au voyage” (Ftesë për udhëtim) një emision i televizionit të njohur francez për kulturë TVArte, që paraqet vende të ndryshme në botë, përmes një personazhi të shquar, kësaj radhe zgjodhi të paraqeste Shkupin dhe Liqenin e Ohrit, përmes veprës dhe personalitetit të shkrimtarit Luan Starova.
Ashtu siç shprehet moderatorja në fillim “Është historia e një liqeni dhe ajo e një njeriu. Liqeni i Ohrit, më i vjetri në Evropë dhe njeriu, Luan Starova. Ky i fundit ka lindur në njërën anë të liqenit, në Shqipëri dhe ka jetuar në anën tjetër, në Maqedoni. Një histori mërgimi dhe urash mes popujve. Një Sagë Ballkanike që Luan Starova ndërtoi mbi tre dekada shkrimi, e përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë.”
Arian Leka, shkrimtar dhe poet thotë se një evropiani, leximi i Luan Starovës i mundëson ta kuptojë më mirë Ballkanin. Për një ballkanas, qoftë ai shqiptar, maqedonas, boshnjak apo serb, leximi i Luan Starovës është çelës për të kapërcyer dhe tejkaluar stereotipat, për të madhëruar vlerat që na bashkojnë dhe për të kuptuar gjithçka që ne mund t’i ofrojmë Evropës.
Ai vetë është njeriu-kufi, që luftoi për të kapërcyer kufijtë. Ai është njeriu-emigrant, që ka pranuar përndjekjen, i cili është pajtuar me dy gjendjet e tij të brendshme, atë të vendasit dhe atë të të huajit. Ai gjithmonë përpiqej, thellë brenda vetes, të ishte dhe të kuptonte Tjetrin.
Si njeri, unë e krahasoj Luan Starovën me këtë liqe. Rrymat që e lëvizin janë të brendshme, të fshehura nën sipërfaqen e qetë, kështu që ne nuk mund ta kundrojmë dhe ta kapim zemërimin e tij, ndërkaq ai vetë, bën gjithçka për t`i mbajtur nën kontroll plagët e tij të brendshme.
Por, si shkrimtar, Luan Starovën e konsideroj si këtë lumë, që gufon me gjithë fuqinë e tij, duke krijuar një letërsi të madhe, të jashtëzakonshme, që buron prej këtu dhe që derdhet në të gjitha gjuhët e kontinentit.”
Vllada Urosheviq, shkrimtar thotë se Në romanet e tij, Luani gjurmon origjinën e familjes së tij. Forca e porosisë së tij është se, pavarësisht gjitha shkatërrimeve, luftërave, periudhave të rrënimit, ka edhe gjëra të bukura që ndodhin dhe mbijetojnë. Këto janë librat.
Luan Starova jetonte në një shtëpi, disa hapa larg nga këtu, nga lumi Vardar. Ai ecte çdo ditë përgjatë këtyre brigjeve. Për të, lumi Vardar nuk paraqiste vijë ndarëse. Përkundrazi, ai ishte një forcë që bashkon dy brigjet dhe që lidh, në mënyrë simbolike, kombet që jetojnë në Maqedoni.”
https://www.facebook.com/watch/?mibextid=WC7FNe&v=1205530253934895&rdid=4SDVGU7j2uA5f9jn
Luan Starova ka lindur në vitin 1941 në Pogradec, në një familje me traditë në fushën e së drejtës, i biri i Arifit dhe Ervehesë nga Leskoviku. E ëma e të atit vinte nga një familje turçelie e Përlepit që kishin qenë kadilerë në kohën e Perandorisë Osmane; i ati kreu studimet po për drejtësi në Stamboll dhe punoi si avokat. Më 1943 kur Luani ishte ende foshnjë, familja u shpërngul drejt Strugës, nga krahu tjetër i liqenit; ndërsa pas Luftës së Dytë u shpërngulën përfundimisht në Shkup. I ati punoi si gjykatës dhe më pas kërkues shkencor në Institutin e Historisë Popullore të Shkupit; deri pa dalur në pension u përkujdes për dokumentacionin osman në Arkivin e Shtetit.
Në Shkup, Luani ndoqi shkollën fillore “Goce Dellçev” në gjuhën maqedonase, nga ku dhe bëhet dygjuhësh duke patur shqipen gjuhën amë dhe maqedonishten gjuhën e arsimimit. U diplomua më tej në liceun shkencor “Josip Broz Tito” më 1961. Studimet e veta ia përkushtoi gjuhës dhe i letërsisë frënge, me një diplomë të dytë mbi historinë e arteve. U angazhua si gazetar duke u bërë edhe kryeredaktor i gazetës “Mlad Borec”.
Pas diplomimit më 1967, u punësua si gazetar te Radio Shkupi dhe më 1968 u bë kryeredaktor i programeve në gjuhën shqipe në televizionin e Shkupit. Po atë vit nis studimet e mëtejshme në teori letërsie, posaçërisht në letërsinë frënge në Universitetin e Zagrebit me temën “Ballkani në prozën e Guillaume Apollinaire.
Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Ka qenë ligjërues edhe në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli.
Starova ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me esse dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga shtëpia botuese Fayard në Paris (“Librat e Babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit”) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” (“Bregu i egzilit”) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë.
Ka ndërruar jetë më 24 shkurt të vitit 2022 në Shkup.