Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, po vazhdon favorizimin e komunave që udhëhiqen nga partia në pushtet.
Sot, Qeveria ka ndarë 1.7 milionë euro për blerjen e pajisjeve të reja dhe funksionalizim të Poliklinikës në Podujevë.
Lëvizja Vetëvendosje para ardhjes në pushtet kishte premtuar spital për banorët e Podujevës.
Por, llapjanët ishin mashtruar dhe në vend të spitalit ishte vendosur që të bëhej një Poliklinikë Specialistike.
Kuvendi Komunal i Podujevës në prill të këtij viti ka kaluar pronësinë e objektit dhe pronës në nivel qëndror, saktësisht te Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që kjo e fundit të mund ta bëjë funksional atë si Poliklinikë Specialistike. Përkundër që i mashtruan, akterë të ndryshëm të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë e kanë shitur si sukses atë që ndodhi.
Madje, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i uronte qytetarët llapjanë për hapjen e Poliklinikës Specialistike.
Por, në kohën sa ishte në opozitë, si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi kritikonte në atë kohë Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn, për mosfunksionalizim të spitalit.
Projektin për Spitalin e Përgjithshëm e quante jetik për llapjanët dhe zotohej se do ta bëjnë kur të vijnë në pushtet.
Bulliqi ankohej te Zemaj sesi s’po e funksionalizon Spitalin e Përgjithshëm dhe thoshte se për një gjë të tillë janë kryer të gjitha procedurat nga niveli lokal.
Vendimi për funksionalizim të Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës ishte marrë më 27 tetor të vitit 2016. Në kohën e marrjes së këtij vendimi në krye të Qeverisë ka qenë Isa Mustafa, më pas Ramush Haradinaj e deri tek Albin Kurti dhe për pak kohë edhe Avdullah Hoti i LDK-së. Asnjëri nga ta nuk e kreu këtë projekt.
E me rikthimin e Kurtit në pushtet, Podujeva zyrtarisht ka mbetur pa Spitalin e Përgjithshëm. Në vend të tij kanë zgjedhur të bëjnë “Poliklinikë Specialistike”.