Shtetet e Bashkuara po përshpejtojnë dislokimet ushtarake në Lindjen e Mesme teksa kërkon të mbrojë Izraelin mes raporteve për një sulm të mundshëm iranian, sipas një deklarate nga Pentagoni të lëshuar të dielën.
Irani ka premtuar hakmarrje ndaj shtetit hebre pas vrasjes së ish-shefit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran më 31 korrik, disa orë pasi ai mori pjesë në inaugurimin e presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
Në deklaratën e Pentagonit thuhet se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka porositur një nëndetëse me raketa të drejtuara dhe aeroplanmbajtësen ‘USS Abraham Lincoln’ të pajisur me avionë luftarakë F-35 në rajon.
“Sekretari Austin përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të mbrojtur Izraelin”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas një telefonate që Austin pati me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant.
Zyra e Gallant tha se ai kishte diskutuar “ndërveprueshmërinë” e forcave izraelite dhe amerikane në rajon me Austin. Ministri izraelit ka paralajmëruar se “kushdo që na dëmton në një mënyrë që nuk është bërë në të kaluarën, ka të ngjarë të goditet në një mënyrë që nuk është bërë në të kaluarën”.
Ai shprehu shpresën se “nuk do të arrijë në një pikë që të na detyrojnë të shkaktojmë dëme të konsiderueshme dhe të rrisim shanset për shpërthimin e luftës në fronte shtesë”, duke theksuar: “Ne nuk e duam këtë, por duhet të jemi të përgatitur. ”
Irani premtoi se do t’i jepte “dënim të ashpër” Izraelit, i cili as nuk e ka mohuar dhe as nuk ka pranuar ndonjë rol në vrasjen e Haniyeh. Uashingtoni priste një sulm me raketa dhe dron në shkallë të gjerë ndaj shtetit hebre në fillim të javës së kaluar, por sulmi deri më tani nuk është realizuar.