nga Naser Pajaziti
Një numër i madh i shqiptarëve 23 vite nga konflikiti i 2001 mbetën jashtë kornizave të asaj që quhet Marrëveshja e Ohrit. Janë shumë komuna dhe vendbanime, ku popullsia shqiptare ngeli pakicë, e harruar dhe e izoluar nga çdo e drejtë elementare.
Kjo popullatë që numëron më shumë se mbi 60 mijë banorë, pa përfshirë pjesën e emigruar, nga gjithë ato komuna nuk gëzon asnjë të drejtë që i mundëson Kushtetuta në bazë të përkufizimit kushtetues “bashkësia etnike mbi 20 për qind”.
Përballë taktizimeve, indiferencave politike dhe pushtetit mbi 20 vjeçar të BDI-së, shqiptarët sot në Maqedoninë e Veriut ende janë përballë një dileme të madhe se a është realizuar apo jo Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj.
Viti 2004 ishte afati final i përmbushjes së detyrimeve të kësaj marrëveshje, pra 3 vite pas konfliktit, por ja që nga ky afat shkuan 20 vite dhe çka?!
Shqiptarët në Manastir, Resnjë, Krushevë, Dollnen, Çashkë, Veles, Ohër, sidomos nga ato në brendi të Shkupit si Gazi Babë, Ilinden, Petrovec, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Vodë nuk gëzojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës, përdorimin e simboleve kombëtare, përfaqësimin në institucione, investimet dhe projektet zhvillimore social-ekonomike dhe benefite të tjera nga shteti.
Diskriminimi i hapur ndodhë edhe sot e kësaj dite ku në këto komuna problematizohet që një fëmijë shqiptarë të mësoj në gjuhën e tij amtare, nuk lejohet hapja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, nuk ka shkolla të mesme në gjuhën shqipe, nuk ka mbishkrime në gjuhën shqipe, nuk ka përdorim të gjuhës shqipe në administratën komunale, ka një diskriminim dhe segregacion tmerrues.
Varfëria, bujqësia në nivelin e mbijetesës dhe vala e vazhdueshme e emigrimit është jeta reale që po bëhet në këto zona, ku edhe pak ato kuadro të shkolluara nuk gjejnë vend pune në qytetet e afërta.
Edhe në Manastir nuk ndjehet asgjë nga Marrëveshja e Ohrit. Situata e njëjtë e heshtjes dhe humbjes së vazhdueshme të shqiptarëve po ndodhë edhe me shqiptarët e Resnjës, Mavrovës dhe Rostushes, Zelenikovës dhe të zonës së Veles. Realiteti i hidhur ku nuk preket dhe nuk ndjehen ligjet dhe fryma e Marrëveshjes së Ohrit është gjithandej.
Pse po ndodhë ky diskriminim brutal antikushtetues dhe nuk ka as edhe një rrugëdalje për fatin e gjithë atyre shqiptarëve që ndjehen jetimë në ato komuna dhe zona të këtij vendi shumetnik?!