Gjatë ditës së djeshme, në Skenderaj është organizuar “Sofra e Drenicës” në nderim të kontributit të vazhdueshëm të bashkatdhetarëve tanë.
Ky organizim është duke vazhduar të bëhet vit pas viti për të mbajtur gjallë identitetin dhe kulturën e kësaj treve, shkruan Telegrafi.
“Organizimi i mbrëmshëm i sofrës, në nderim të bashkatdhetarëve dhe kontributit të tyre të vazhdueshëm ndaj vendlindjes! Ju paçim gjithmonë!”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.
I pranishëm ishte dhe kryetari i kësaj komune, Fadil Nura, i cili i falënderoi të gjithë qytetarët që ishin pjesëmarrës.
Në “Sofrën e Drenicës” ishte pjesëmarrës dhe artisti i mirënjohur shqiptar, Shaqir Bejta, i cili u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të mos e harrojnë atdheun, transmeton Telegrafi.
“Bashkatdhetarë, mos e harroni mëmëdheun. Vetëm një mëmëdhe keni. Faleminderit që keni gjetur kohë të jemi bashkë sonte”, ka thënë artisti, Shaqir Bejta.