Në seancën e Qeverisë të mbajtur tre ditë më parë, ministri i transportit dhe lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, informoi se është pranuar një letër zyrtare nga operatori hungarez i telekomunikacionit “4iG Group”.
“4iG Group” shprehu interesim për të analizuar kushtet për hyrjen në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni dhe ofrimin e shërbimeve të telefonisë celulare dhe fikse. Nisma është në përputhje me strategjinë e “4iG Group” për ta zgjeruar praninë e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor. “4iG Group” është operatori i dytë më i madh i telekomunikacionit në Hungari dhe një integrues kryesor i sistemit të IT, me një portofol investimesh në rritje në sektorin e hapësirës dhe industrisë së mbrojtjes. Në vitin 2022 “4iG Group” u zgjerua në tregjet e telekomunikacionit të Ballkanit Perëndimor, duke zënë pozicione të rëndësishme në Mal të Zi dhe Shqipëri përmes lançimit të markës së vet të telekomunikacionit – “ONE”, thuhet në kumtesën e publikuar pas seancës qeveritare.
Ministri Nikolloski vetëm pak ditë para seancës së Qeverisë ishte në Budapest ku u takua me kryetarin e “4iG”, Gellert Jaszai.
“Ne besojmë se përvoja e krijuar e ‘4iG Group’ në industrinë e telekomunikacionit, e kombinuar me ekspertizën e saj në korniza rajonale, mund të përdoret në mënyrë efektive edhe në tregun në Maqedoni. Kjo iniciativë premton përfitime të konsiderueshme për të dyja palët, ndërsa mund të jetë veçanërisht e dobishme për qytetarët e Maqedonisë, sepse si Maqedonia ashtu edhe “4iG Group” ndajnë një vizion të përbashkët për një shoqëri digjitale të lidhur dhe të avancuar”, shkruan në njoftimin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve pas takimit mes ministrit Aleksandar Nikolloski dhe Gellert Jaszai në Budapest.
Lidhshmëria shkak-pasojë midis vizitës së Nikolloskit në Budapest dhe letrës së “4iG” shihet lehtë. Pyetja logjike që lind është se kush është “4iG”, kompania që kërkon të hyjë në vend.
Hulumtimi i një pjese të mediave hungareze, si Direct36, e lidh “4iG” direkt me kryeministrin Viktor Orban, duke e quajtur atë kompaninë e tij të preferuar.
Direkt36 shkruan se “4iG”, me ndihmën e fshehur shtetërore që supozohet se peshon rreth 190 milionë euro, është rritur nga një kompani IT mesatare në një nga korporatat më të mëdha hungareze në vitet e fundit dhe, sipas hulumtimit të gazetarëve hungarezë, kjo është kryesisht për shkak të dashurisë që gëzon nga Orbani dhe rrethi i ngushtë i njerëzve rreth tij.
Por ardhja e mundshme e “4iG” në Maqedoninë e Veriut ngre edhe një çështje tjetër që nuk është vetëm e natyrës politike, por edhe juridike, e që ka të bëjë me orientimin gjeostrategjik të vendit.
“4iG” ka një partneritet strategjik me Huawei-n e Kinës. Pse do të ishte kjo gjë një problem për një hyrje të mundshme në tregun vendas të telekomunikacionit? Sepse 3 vjet më parë Maqedonia e Veriut miratoi ndryshime në Ligjin për Komunikime Elektronike, të cilat, ndër të tjera, parashikojnë që operatorët e telekomunikacionit të blejnë pajisje ekskluzivisht nga furnizues të verifikuar dhe të besueshëm.
Оperatorët gjatë blerjes së pajisjeve për rrjetin:
a) të kenë qasje në përzgjedhjen e furnitorëve dhe prodhuesve të ndryshëm të pajisjeve, duke marrë parasysh kufizimet teknike dhe kërkesat për interoperabilitetin e pjesëve të ndryshme të rrjetit, në mënyrë që të evitohet ose kufizohet varësia nga një furnizues dhe nga produktet;
b) duhet të përdorin certifikimin BE për komponentët e rrjetit, pajisjet për
përdoruesit dhe/ose proceset e furnizuesve dhe prodhuesve, nëse në treg ofrohen komponentët që e kanë këtë certifikim;
c) duhet të përdorin certifikimin e BE-së për produkte dhe shërbime të tjera jo specifike të TIK-ut, nëse në treg ofrohen komponentët që e kanë këtë certifikim;
d) të marrin parasysh rrezikun e përgjithshëm të ndikimit mbi furnizuesin dhe prodhuesin e vendit të tretë, sidomos në lidhje me:
– sistemin e menaxhimit,
– ekzistimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushën e sigurisë ose marrëveshjeve të ngjashme, të tilla si vendimet për pajtueshmërinë në fushën e mbrojtjes së të dhënave,
– nëse vendi është palë e marrëveshjeve shumëpalëshe, ndërkombëtare ose dypalëshe për sigurinë kibernetike, luftën kundër krimit kibernetik ose mbrojtjen e të dhënave”, thuhet në nenin 166 – d të Ligjit për Komunikime Elektronike.
Pastaj Agjencia për Komunikime Elektronike miratoi akte nënligjore përkatëse. Ndryshimet u miratuan pasi në tetor të vitit 2020 Maqedonia e Veriut nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Qeverinë e SHBA-ve (gjatë mandatit presidencial të Donald Trump) i cili parashikon qasje tek prodhues “të pastër” dhe të besueshëm të rrjeteve 5G.
Me këtë vendi iu bashkua nismës së udhëhequr nga Uashingtoni, të cilës iu bashkëngjitën disa vende evropiane, e me të cilën de facto ndalohet instalimi i pajisjeve të gjigantëve si “Huawei” dhe “ZTE” në këto vende për shkak të dyshimeve të bazuara se të dhënat e qytetarëve, të mbledhura nëpërmjet këtyre operatorëve, në mënyrë të palejuar përfundojnë tek autoritetet kineze.
360 Gradë e hetoi këtë temë dhe që në verën e vitit 2020, para nënshkrimit të këtij memorandumi dhe miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Komunikimet Elektronike, njoftoi se qeveria e atëhershme e kryeministrit Zaev, pas kontakteve me përfaqësuesit amerikanë, kërkoi Operatori më i madh i telekomunikacionit “Telekomi i Maqedonisë”, në të cilin shteti ka pothuajse 35 përqind të pjesëmarrjes, ta rishqyrtojë qëllimin për blerjen e pajisjeve të reja për rrjetin 5G pikërisht nga “Huawei”.
Marrëveshja me “Huawei” dështoi dhe në lojë hyri “Ericsson” i cili “Telekomit të Maqedonisë” i shiti pajisje të rrjetit 5G në vlerë prej 45 milionë eurosh. Kjo ka qenë në fuqi që nga shkurti i vitit 2022.
Për rrezikun e hyrjes së mundshme të “Huawei”-t kinez përmes “4iG” hungarez ka paralajmëruar edhe ish-ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
“Kompania ‘4iG’, me të cilën Qeveria jolegjitime po diskuton për një operator të ri celular, ka bashkëpunim të ngushtë me Huawei – n kinez për një cloud të ri për mbledhjen e të dhënave. Kjo është në kundërshtim me interesat e partnerëve tanë strategjikë, si dhe për infrastrukturën kritike në vend”, ka shkruar Bekteshi në profilin e tij në Facebook.
Për mundësinë e hyrjes së “4iG” hungarez me infrastrukturë kineze në tregun e Maqedonisë së Veriut, 360 Gradë kërkoi qëndrim nga Ambasada e SHBA-ve, sepse ishte administrata amerikane ajo që e inicioi procesin me të cilin gjigantët kinezë të telekomunikacionit përfunduan në “listën e zezë” si furnizues jo të besueshëm të pajisjeve.
“Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut ndajnë qëllimin për të mbrojtur rrjetet e komunikimit nga ndërprerjet dhe manipulimet dhe në vitin 2020 së bashku nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për sigurinë e 5G si pjesë e këtyre angazhimeve. Ne besojmë se qeveria do të vazhdojë ta mbrojë integritetin e rrjetit, të evitojë furnizuesit e pasigurt të harduerit dhe softuerëve dhe të sigurojë një ekosistem 5G të sigurt dhe etik në Maqedoninë e Veriut”, është qëndrimi i Ambasadës së SHBA-ve lidhur me pyetjen e drejtuar nga 360 Gradë.
Nuk ka informacion nëse ndonjë përfaqësues amerikan ia ka thënë këtë drejtpërdrejt Qeverisë së kryeministrit Mickoski, sepse në fund të vitit 2023 Uashingtoni ka reaguar ashpër në samitin e “4iG” në Budapest pas nënshkrimit të Memorandumit me “Huawei”-n.