Një diskutim për përfitimet nga hapja e Urës së Ibrit, është paralajmëruar të mbahet sot.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme i ka ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në këtë diskutim, në të cilin ai ka thënë se do të diskutohet për përfitimet që qytetarët do të kenë nga hapja e Urës së Ibrit.
Thirrja e Kurtit erdhi pas një proteste që qytetarët serbë kishin afër Ibrit për të kundërshtuar hapjen e kësaj ure, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Serbët anë shfaqur me pankarta “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti hap urën, përgjegjës do të mbeten KFOR dhe QUINT-i” dhe “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po lëshojnë deklarata, ne po na dëbojnë”.
Aty janë parë edhe drejtuesit e Listës Serbe: Zlatan Elek, Dragisa Miloviq, Slavko Simiç, Igor Simiç, Ivan Todosijeviq.
Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit në Mitrovicë, duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure.
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Reagimi i KFOR-it erdhi kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.
Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha javën e kaluar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.
Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.
“Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë [veçanërisht me NATO-n]“, tha Osmani.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.