Ambasada britanike në Kosovë në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se janë të zhgënjyer me veprimin e institucioneve të Kosovës për mbylljen e pikave të postës serbe në veri të Kosovës, pa koordinim paraprak dhe pa marrë parasysh efektin që një vendim i tillë ka tek qytetarët e thjeshtë.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në mënyrë serioze për zgjidhjen e këtyre çështjeve, duke përfshirë edhe përmes dialogut e lehtësuar nga BE-ja.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimi i djeshëm i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e zyrave të postës serbe në veri të Kosovës, pa koordinim paraprak apo pa marrë parasysh ndikimin e këtyre mbylljeve tek qytetarët e thjeshtë. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet seriozisht për zgjidhjen e këtyre çështjeve përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, kanë thënë për Gazetën Express nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.
Lidhur me veprimet e institucioneve të Kosovës në Veri dhe mbylljen e pikave të postës serbe dje kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Bashkimi Evropian e ka konsideruar veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar, “i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja” dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut me Serbinë.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar ashpër duke e cilësuar si veprim të pa koordinuar dhe kanë shprehur zhgënjimin e tyre të thellë.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.