“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”.
Kjo është deklarata e datës 6 gusht 2024 dërguar mediave nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani, vetëm një ditë pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e poshtëroi atë në konferencën e përbashkët me homologun maqedonas, Hristjan Mickoski, pas incidentit ku ishte e përfshirë në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, më 1 gusht.
Më 5 gusht 2024, kryeministri Kurti nuk kishte mbështetur pretendimet e presidentes Osmani se incidenti ku ishte përfshirë ajo ishte “provokim i pastër”. Rrëfimit të presidentes Osmani, Kurti duket se nuk i ka besuar aspak. Ai është paraqitur mjaft i rezervuar në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rasti nuk ishte provokim, duke thënë se duhet të presin zbardhjen e ngjarjes nga institucionet kompetente.
Këtë poshtërim duket se nuk e ka “përtypur” presidentja Osmani, e cila ka shpërthyer në akuzat e tij të padëgjuara deri më tani.
Për herë të parë një drejtues shtetëror, siç është Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, artikulon një akuzë kaq të fortë, për propagandë kundër shtetit të Kosovës, në adresë të një drejtuesi tjetër shtetëror, siç është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo bëhet edhe më serioze kur është e njohur se Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës me mbështetje e fuqishme të kryeministrit Kurti dhe të deputetëve të partisë së tij, Vetëvendosjes. Madje, Osmani ishte edhe pjesë e listës së deputetëve nga radhët e partisë së Kurtit.
Akuza e presidentes Osmani se kryeministri Kurti është në gjendje të “propagandojë kundër shtetit të Kosovës”, përkundër rëndësisë që ajo bartë, vjen me shumë vonesë, pas një periudhe trevjeçare shërbimi në mënyrë të verbër ndaj politikave të Kurtit, të cilat deri më tani janë shoqëruar nga konfliktualiteti me shtetet aleate, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.