Një studim i ri i publikuar të hënën ka ofruar provën më të qartë deri tani që Grenlanda ka qenë kryesisht pa akull gjatë milionë viteve të fundit, kur nivelet e CO2 në atmosferë ishin shumë më të ulëta se sa janë tani, njofton AFP.
Implikimet për njerëzimin janë të mëdha, pasi ky hulumtim ngjall frikë për një rrezik më të madh të rritjes së nivelit të detit se sa ishte parashikuar më parë.
“Ne tani e dimë se e gjithë kapota e akullit është e ndjeshme ndaj rrezikut të shkrirjes,” tha Paul Bierman, profesor në Universitetin e Vermontit dhe autor kryesor i studimit.
Kërkuesit në ekipin e tij zbuluan mbetje të bimëve dhe insekteve në një mostër akulli të marrë nga një thellësi prej tre kilometrash, në qendër të ishullit të mbuluar me akull.
Mostra e akullit, e quajtur GISP2, u mor në vitin 1993. Ajo është studiuar tashmë, por askush nuk kishte menduar të kërkonte fosile në qendrën e saj, sepse ideja që Grenlanda të kishte qenë pa akull në të kaluarën e afërt gjeologjike dukej shumë pak e mundshme.
“Ne pamë fjalë për fjalë ato fosile në orën e parë apo edhe në gjysmën e parë të orës së punës,” tha Paul Bierman.
Për çudinë e tyre, kërkuesit zbuluan, në një shtresë të trashë rreth tetë centimetra, dru shelgu, kërpudha, një farë lule dhe madje edhe syrin e një insekti. Studimi, i botuar në revistën PNAS, sugjeron që një ekosistem i tërë ka ekzistuar në këtë vend dhe në këtë periudhë.
Nëse akulli në qendër të ishullit është shkrirë, atëherë është pothuajse e sigurt se ai ka munguar në shumicën e këtij territori të gjerë, thotë Paul Bierman. Kjo nuk është e mirë, duke pasur parasysh ngrohjen globale aktuale.
Nëse emetimet aktuale të gazeve serrë nuk do të reduktohen ndjeshëm, kapota e akullit e Grenlandës mund të shkrijë pothuajse tërësisht në shekujt ose mijëvjeçarët e ardhshëm, çka do të çonte në një rritje të nivelit të detit me rreth shtatë metra dhe do të zhdukte qytete bregdetare në të gjithë botën.
“Qindra miliona njerëz në mbarë botën do të humbasin vendin ku jetojnë,” paralajmëroi i njëjti kërkues.
Pika të vogla të errëta
Në vitin 2016, kërkuesit studiuan të njëjtën mostër nga viti 1993, duke përdorur një teknikë datimi dhe përcaktuan se ajo nuk mund të ishte më e vjetër se 1.1 milionë vjet.
Sipas vlerësimeve të tyre, nëse akulli është shkrirë në atë vend (dhe ka lejuar shfaqjen e florës dhe faunës – red.), atëherë 90% e Grenlandës duhet të kishte qenë pa akull.
Këto përfundime u pritën me skepticizëm në atë kohë, pasi, sipas teorisë së pranuar gjerësisht deri atëherë, Grenlanda kishte qenë një kështjellë akulli për disa miliona vjet.
Në vitin 2019, Paul Bierman dhe një ekip ndërkombëtar rishikuan një tjetër mostër akulli, këtë herë e marrë në vitin 1960 nga një bazë ushtarake amerikane e braktisur, Camp Century, pranë brigjeve të Grenlandës.
Surprizë: mostra përmbante gjethe dhe myshk. Teknikat e përparuara të datimit ndihmuan shkencëtarët të vlerësojnë se zhdukja e akullit në atë zonë kishte ndodhur rreth 416,000 vjet më parë.
Kjo zbulim e shtyu Paul Bierman të kthehej në mostërën e vitit 1993 për të kërkuar shenja të ngjashme. Më në fund, kërkuesit gjetën prova të pakundërshtueshme të shkrirjes së akullit.
“Tani ne e dimë me siguri që akulli është zhdukur jo vetëm në Camp Century, por edhe në nivelin e GISP2, në qendrën e kapotës së akullit,” theksoi ai.
Halley Mastro, bashkautore e studimit, theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbledhjes së mostrave të akullit në Grenlandë, në kërkim të organizmave edhe më të vjetër, zbulimi i të cilëve mund të ketë implikime të mëdha për të ardhmen e njerëzimit.
“Është kaq e qartë sapo ta dish që diçka është aty, por nëse nuk do të prisje të ishte aty dhe nuk do të kërkoje ato pika të vogla të errëta që notojnë pak ndryshe, nuk do t’i kishe parë kurrë,” tha ajo.