Një nga të kërkuarit e autoriteteve të Shqipërisë, Arben Lamçja, të shtunën është arrestuar në Kosovë pas një bashkëpunimi mes njësitit “FAST Kosova” dhe atij “FAST Shqipëria”. Lamçja ishte shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK).
SPAK-u më 29 korrik i kishte caktuar masën e “arrestit me burg” Arben Lamçjas.
Policia e Shtetit, në njoftimin për arrestimin e Arben Lamçjas, ka thënë se ai dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar Kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se njësiti “FAST” është duke zhvilluar “një operacion”, por detajet e tjera do të bëhen të ditura më vonë.
Arben Lamçja u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë 2”. Sipas mediave në Shqipëri, ai dyshohet se ka qenë vrasës me pagesë për një grup kriminal të Elbasanit.