Meteori që u rrëzua pranë Berlinit në janar 2024 është afërsisht 4,5 miliardë vjet i vjetër dhe i përket klasës së rrallë të aubriteve, njoftuan shkencëtarët në një artikull të botuar këtë javë në revistën Meteoritics & Planetary Science, informon DPA.
Asteroidi i vogël 2024 BX1 filloi të digjej në hyrje të atmosferës tokësore më 21 janar pranë Berlinit, në një spektakël qiellor mbresëlënës. Fragmente nga ai ranë në tokë në rajonin Havelland të landit Brandenburg, që rrethon kryeqytetin gjerman, dhe shumë prej tyre u mblodhën më pas nga shkencëtarët dhe koleksionistët.
Afërsisht 202 fragmente me peshë totale 1,8 kilogramë u gjetën në fusha pranë fshatrave Ribbeck, Berge dhe Lietzow në landin Brandenburg, të shpërndara në një sipërfaqe prej 1,5 kilometrash me 10 kilometra.
Shkencëtarët i dhanë këtij meteori emrin “Ribbeck”, sipas fshatit ku u gjetën shumica e fragmenteve.
Një studim i realizuar nga studiuesit nga Instituti i Planetologjisë në Universitetin e Munsterit dhe që u botua të mërkurën zbuloi se “Ribbeck” i përket klasës jashtëzakonisht të rrallë të aubriteve, të cilët janë meteorë të pasur me magnez dhe silic.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se “Ribbeck” ka një status të veçantë brenda kësaj klase të rrallë, pasi përmban një përqindje jashtëzakonisht të madhe të feldspatit, një mineral që bën pjesë në grupin e silikateve.
Studiuesit supozojnë se objekti kozmik nga i cili u shkëput “Ribbeck” ka një moshë afërsisht 4,5 miliardë vjet dhe vjen nga Brezi i Asteroidëve midis planetëve Mars dhe Jupiter.
Shkencëtarët gjithashtu shpjeguan arsyen pse fragmentet e këtij meteori kishin një erë të fortë të hidrogjenit sulfur, një erë e ngjashme me atë të vezëve të prishura: reaksionet kimike midis fazave minerale dhe lagështirës, që rezultojnë nga bora dhe shkrirja, shkaktojnë atë erë dhe kanë ndryshuar mineralogjinë e shkëmbit.