Pas kritikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për largim të hershëm të nxënësve të Maqedonisë së Veriut nga shkollat, para përfundimit të arsimit të tyre që ndodh si rezultat i një kombinimi të faktorëve personalë, socialë, ekonomikë, arsimorë dhe familjarë, Portalb.mk pyeti Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Nga atje premtuan se në periudhën e ardhshme do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj problematike.
“Në kuadër të krijimit të politikave, masave dhe aktiviteteve për mbështetjen e shëndetit dhe mirëqenies së të rinjve në shkollat fillore dhe të mesme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në periudhën e ardhshme do t’i kushtojë vëmendje të veçantë largimit të hershëm nga sistemi arsimor. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, për të tejkaluar këtë sfidë, do të punojmë në ofrimin e arsimit më cilësor, i cili do të interesojë dhe motivojë nxënësit. Kjo mund të arrihet vetëm me mësues të trajnuar mirë. Prandaj ne do të investojmë në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve, duke i kushtuar vëmendje rritjes së përfshirjes së prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre”, u përgjigjën nga MASh.
Nga kjo ministri shtojnë se nxënësit nga grupet potencialisht në rrezik për braktisjen e hershme të shkollës do të vazhdojnë të marrin forma të ndryshme mbështetjeje – ndërmjetësim, mësimdhënie, projekte dhe financiare, duke reduktuar kështu barrierat socio-ekonomike për ndjekjen e rregullt të shkollës.
“Në kuadër të ndryshimeve prioritare në arsimin fillor dhe të mesëm, të cilat kanë filluar të zbatohen, parashikohet që nxënësit të qëndrojnë më gjatë në shkollë – nga klasa e parë deri në të katërtën në mësimin gjithëditor, ndërsa nxënësit nga e pesta deri në klasa e nëntë do të jetë në qëndrim të zgjatur. Përveç shumë përfitimeve të tjera, në kuadër të qëndrimit të zgjatur, nxënësit do të mund të ushtrojnë aktivitete fakultative, të cilat krijojnë një perceptim më pozitiv për shkollën. Gjithashtu, mësuesit marrin mundësinë përmes vëmendjes së personalizuar për të ndihmuar në parandalimin e largimit të hershëm të shkollës”, përfundon përgjigjja e MASh-it.
Ndryshe, përveç largimit të hershëm të nxënësve nga shkollat, OBSh në raportin Shëndeti i fëmijëve të moshës shkollore në Maqedoninë e Veriut dhe statusi i shkollave që promovojnë shëndetin”, vërejti vdekshmëri të fëmijëve të moshës shkollore në Maqedoninë e Veriut për shkak të lëndimeve dhe sëmundjeve malinje, rënie numrit të nxënësve në shkolla, bullizmi dhe shumë mangësi të tjera.
Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave të Maqedonisë së Veriut (EShS), në fillim të vitit shkollor 2021–2022 numri i nxënësve në shkollat fillore ishte 186.649, që përbën rënie prej 0,5% krahasuar me vitin paraprak shkollor. Në fillim të vitit shkollor 2021–2022, numri i nxënësve në shkollat e mesme ishte 71.018, që paraqet një rënie prej 1,1% në të njëjtën periudhë.
Nxënësit që largohen nga shkolla para përfundimit të arsimit të tyre ndodh si rezultat i një kombinimi të faktorëve personalë, socialë, ekonomikë, arsimorë dhe familjarë. Nxënësit largohen para kohe nga sistemi arsimor për një sërë arsyesh që janë të veçanta për çdo individ, duke përfshirë: problemet personale ose familjare, vështirësitë shëndetësore ose emocionale, pakënaqësia me kurrikulën ose metodat e mësimdhënies, marrëdhëniet e dobëta me mësuesit ose shokët e klasës, ngacmimet, klima negative në shkollë, dhe kështu me radhë.
Megjithëse nuk ka të dhëna të sakta, mund të vërehen tendenca të caktuara në lënien e hershme të shkollës dhe disa nxënës janë më të rrezikuar, siç janë fëmijët që vijnë nga shtresa të pafavorizuara sociale (familje në të cilat anëtarët janë të papunë, familje me nivel të ulët arsimor, prindërit e vetëm, ata që jetojnë në kushte të këqija socio-ekonomike dhe familjet që migrojnë). Nxënës të tjerë në rrezik të braktisjes së hershme të shkollës vijnë nga grupe të cenueshme (për shembull, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore (NVA) ose nënat e mitura) ose janë me prejardhje etnike rome. Ky trend është gjithashtu më i zakonshëm te djemtë sesa tek vajzat.
Shumica e treguesve arsimorë (regjistrimi në kohë, vijimi i rregullt, suksesi në shkollë, përparimi në një nivel më të lartë arsimor) janë më pak të favorshëm për popullatën rome, krahasuar me popullatën e përgjithshme. Shumë fëmijë nga ky grup i popullsisë e lënë shkollën gjatë arsimit fillor.