Në zgjedhjet e ardhshme, votimi me kusht nuk do të jetë i mundur në çdo qendër të votimit, por vetëm në disa prej tyre.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ai tha se Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2023, ka bërë disa ndryshime lidhur edhe me votimin me kusht.
“Zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës do të organizohen sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2023. Ky ligj, ka bërë disa ndryshime edhe lidhur me votimin me kusht”, deklaroi ai.
Tutje, ai tha se KQZ-ja do të mundësojë votimin me kusht në disa qendra të caktuar, pasiqë siç thotë ai është detyrë e KQZ-së të caktojë listën e qendrave të votimit ku lejohet votimi me kusht dhe të përcaktojë numrin e tyre.
“Sipas nenit 95, është detyrë e KQZ-së që të caktojë listën e qendrave të votimit ku lejohet votimi me kusht dhe të përcaktojë numrin e ty. Andaj, në përputhje me këtë përcaktim ligjor, KQZ do të mundësojë votimin me kusht në qendra të caktuara”, tha ai.
Elezi tha se sërish votimi me kusht do të mundësohet, mirëpo jo në çdo qendër votimi siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore.
“Pra, votimi me kusht është i mundur sërish, por nuk do të mundësohet në çdo qendër votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Se cilat do të jenë këto qendra, KQZ-ja do të përditësojë listën e tyre në një fazë të mëvonshme gjatë procesit zgjedhor dhe për këtë do të njoftojë qytetarët”, potencoi Valmir Elezi