Deri 1 mln Lekë të reja gjobë dhe heqje license për të gjithë bluzat e bardha që shkelin “Urdhrin e Mjekut”. Detajet janë bërë të ditura nga zv/ministrja e shëndetësisë, Entela Kolovani në një intervistë për Tv Klan. Sipas Kolovanit, ndryshimet ligjore që u ndërmorën për ligjin e “Urdhrit të Mjekut” synojnë ofrimin e një shërbimi sa më cilësor ndaj pacientit.
Entela Kolovani, zv/ministre e Shëndetësisë: Masat disiplinore që mund të merren ndaj mjekut fillojnë që nga pezullimet, heqja e përhershme e licensës, gjobat nga 100 mije Lekë deri në 1 mln të reja, të cilat do të gjykohen nga komisionet disiplinore që ngrihen pranë “Urdhrit të Mjekut” dhe komisionet e apelimit. Heqja e licensës parashikohet e përkohshme, 6 muaj, ose përhershme për përsëritje të gabimeve.
E pyetur se çfarë ndodh me shefat e shërbimit, të cilët aktualisht drejtojnë një klinikë private, Kolovani thotë se sipas ndryshimeve ligjore, këta drejtues e kanë kategorikisht të ndaluar të mbajnë dy poste drejtuese dhe duhet të zgjedhin mes punës në shtet dhe atij privat. Entela Kolovani: Të jesh një drejtues institucioni publik ka qëllim shërbimin ndaj pacientit, dhe titullari e ka të ndaluar që të lëjë një shërbim dhe të japë një shërbim në një klinikë tjetër private.
Ndërsa përsa i përket mjekëve, ata janë të lirë të punojnë edhe në institucione private jashtë orarit zyrtar në shtet, por gjithmonë vetëm me lejen e titullarit të institucionit shëndetësor shtetëror. Bluzat e bardha janë të detyruar që të punojnë 40 orë në javë në institucione publike dhe vetëm 12 orë në javë në spitalet apo klinikat private. Në asnjë rast, mjeku nuk do të lejohet që të njëjtin pacient ta ndjekë edhe në shtet edhe në privat.