Niveli kulturor dhe intelektual i presidentes Vjosa Osmanit dhe kryediplomates Donika Gërvalla – Schwarz, duket sheshit se lë shumë për të dëshiruar.
Një polemikë në distancë mes shoqeve të dikurshme, që në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 braktisën LDK-në për të garuar me subjektin e tyre Guxo në listën e Vetëvendosjes, ka nxjerrë në pah varfërinë kulturore dhe intelektuale të dyshes Osmani – Gërvalla.
Edhe kjo polemikë në distancë do të mund të dukej më e bukur, nëse Osmani dhe Gërvalla do të arrinin të shfaqnin veçantitë e tyre polemizuese.
Por, jo, asnjëra prej tyre nuk ka arritur që të “shkëlqejë” në “diss-in” e tyre, pasi kjo është kufizuar në shijet e tyre muzikore, që vërehet lehtësisht se janë të vobekta.
30 KORRIK 2024 – GËRVALLA ZHVLERËSON QËNDRIMET E OSMANIT “LLAFE, LLAFE”
Në një koncert të organizuar për mergimtarët, para mijëra sosh, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz ka sulmuar në mënyrë të papritur presidenten Vjosa Osmani.
Gërvalla – Schwarz që drejton dikasterin e rëndësishëm shtetëror, zhvlerësoi “brutalisht” qëndrimet e presidentes Osmani, e cila kishte kundërshtuar ashpër letrën që kryediplomatja kosovare ia kishte dërguar Këshillit të Evropës pa konsultim paraprak.
Mbrëmjen e së martës, Gërvalla – Schwarz në mënyrë të paprecedentë përqeshi Osmanin para mijëra mërgimtarëve se ajo që bën e para e shtetit është thjeshtë një refren i këngës së Dafina Zeqirit “Llafe – llafe”.
31 KORRIK 2024 – OSMANI: “ME KAST, ME KAST, MJESHTËR I MASHTRIMEVE…”
Nuk ka vonuar shumë dhe presidentja Osmani i është kundërpërgjigjur ministres Gërvalla, gjithashtu me një tekst muzikor, aspak i veçantë dhe aspak i këndshëm, por një tekst me një gjuhë krejtësisht bajate.
Osmani përveç që ka lënë të kuptohet se Donika Gërvalla është “mjeshtër e mashtrimeve dhe përsëritese e gabimeve”, ajo ka treguar se i mungojnë “armët” më të fuqishme për t’iu kundërpërgjigjur Gërvalla – Schwarzit.
“Nuk do të komentoja raportet, por kemi në dallime të qarta në qëndrimet me zonjën Gërvalla. Nuk është në interes të qytetarëve e as të Kosovës që ato mos të thuhen publikisht. Meqë doni me kangë të Dafinës me vazhdu, e ka një të re para 1 muaji: Me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve. Më falni është kënga e Gilit se idhnohet Gili”, tha Osmani.