Komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet dialogut dhe zbatiit të marrëveshjeve me pikënisje dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Komisionari Varhelyi tha se palët duhet t’i vazhdojnë përpjekjet për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve.
“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë nëpërmjet dialogut. Presim që palët t’i vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për de-përshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre, në kuadër të dialogut, duke nisur me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, tha Varhelyi.
Ndaj kësaj deklarate të komisonerit Varahejli ka reaguar këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, duke i dhënë sugjerime komsionerit Varhejli se procesi i dialogut nuk është e tij.
“E pash sugjerimin tuaj, z Varhelyi, për Asociacionin në Kosovë, pa e përmendur Marrëveshjen Themelore të Brukselit, njohjen reciproke dhe raportet e mira fqinjësore. Ndoshta është më mirë për ju të fokusoheni në zgjerimin e BE-së, meqë dialogu është në portfolion e dikujt tjetër”, tha Zulfaj për RTV21.
Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër draft-statutit të asociacionit të prezantuar nga BE-ja. Deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka kritikuar zyrtarët e BE-së se po bëjnë thirrje për zbatimin e vetëm një pike të marrëveshjes atë për asociacionin. Sipas tij, Qeveria kishte gatishmëri ta shkruaj një draft të saj, por u refuzua nga evropianët.
‘’Me aq sa po shoh unë thirrjet drejtuar ndaj Kosovës kanë të bëjnë vetëm për një pikë atë për asociacionin. E njëjta kërkesë ishte kur Kosova pritej të kalonte Këshillin e Evropës. Ne thamë po, ne mund ta dërgojmë një draft të tillë të shkruar nga Kosova që në bazament ka asociacionin në Kroaci. Nuk deshën dhe konkluduan se ishim të vonshëm dhe forma ishte e papranueshme për ta. Marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi duke pas edhe nënshkrimin e saj midis dy palëve”, tha Rexhaj për RTV21.
Kosova dhe Serbia kanë adresuar akuzua të ndërsjella për mos zbatim të marrëveshjes që çoi në dështim të takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq. Pavarësisht kësaj shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog është optimist se mund të ketë përparim procesi i bisedimeve. Ai ka paralajmëruar palët se mungesa e rezultateve do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në rrugën integruese për të dyja palët.
“Pra nëse ju jeni të përkushtuar seriozisht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian duhet të angazhoheni më shumë në dialog dhe duhet t’i zbatoni të gjitha marrëveshjet”, tha Szunyog.
Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë edhe pse mungojnë rezultatet konkrete në këtë proces. Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, kërkon nga BE-ja të jetë më e balancuar në kërkesat e saj. Akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes.
‘’Thirrjet e tilla duhet të jenë të balancuara. BE-ja para se ti drejtohet Kosovës duhet ti drejtohet Serbisë. Nuk mund të merret vetëm një marrëveshjes nga të gjitha ato pika sepse ka shumë pika të tjera para saj në kuptimin e zbatimit të marrëveshjes në plotni. Pra thuhet se kjo po na intereson. Kjo mund ti interesoj vetëm Serbisë, por Kosovës mund ti interesojë mos pengimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha Rexhaj.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, ka kërkuar nga Qeveria të bëjë lëvizje të kujdesshme për çështjen e Asociacionit. Sipas tij, kryeministri Kurti e kishte pranuar në Ohër themelimin e kësaj trupe por, siç thotë, tash refuzimi i themelimit të asociacionit mund të shkaktojë pasoja ndërkombëtare për Kosovën.
‘’Është e pakuptimtë që në njërën anë të nënshkruhet marrëveshje, të pranohen kushte siç është asociacioni dhe në anën tjetër të refuzohet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është vendos si siguresë për të siguruar që ky mekanizëm i ri që po futet në strukturën ligjore të Kosovës nuk bie në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës. Jemi në një fazë që me aneksin e Ohrit është pranuar asociacioni”, tha Jashari.
Ndërkohë, SHBA-ja konsideron se për Kosovën është urgjente që të lëvizë përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.