Autoritetet izraelite njoftuan se sulmi me raketa në një fushë futbolli në zonën e Lartësive të Golanit, të pushtuara nga Izraeli, vrau 12 persona, përfshirë fëmijë, të shtunën, raporton Reuters. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës kundër Izraelit që nga fillimi i konfliktit të Gazës.
Izraeli fajësoi për sulmin grupin libanez Hezbollah, i cili megjithatë mohoi çdo përgjegjësi.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një bisedë telefonike me liderin e komunitetit Druze në Izrael se “Hezbollahu do të paguajë një çmim të rëndë, siç nuk e ka paguar kurrë më parë”.
Raketa goditi fshatin e banuar nga Druzët, Majdal Shams. Përveç të vdekurve, shërbimet e ambulancës bënë të ditur se janë edhe 13 të lënduar. Një mjek tha se ekipet e ndihmës së parë gjetën “një skenë të tmerrshme”, me viktima në lëndinë.
Në fushën e futbollit kishte shumë fëmijë dhe adoleshentë. “Ata po luanin futboll, dëgjuan sirenat dhe vrapuan të mbuloheshin (…) u duhej rreth 15 sekonda. Por ata nuk arritën dot në strehë, sepse raketa goditi mes fushës dhe strehës. “, raportoi një dëshmitar okular.
Momenti është filmuar dhe regjistrimi është shpërndarë në rrjetet sociale; dëgjohet një sirenë, pastaj shihet një shpërthim i fortë dhe tym duke u ngritur. Reuters verifikoi dhe konfirmoi marrëveshjen midis vendndodhjes së ndërtesave dhe rrugës me imazhe satelitore të zonës.
Hezbollahu tha në një deklaratë me shkrim se “Rezistenca Islamike nuk ka absolutisht asnjë lidhje me incidentin dhe kategorikisht mohon të gjitha pretendimet e rreme në këtë drejtim. Grupi i mbështetur nga Irani kishte njoftuar më parë se kishte sulmuar disa pozicione ushtarake izraelite me raketa.