Drejtoresha e Shërbimit Sekret, e cila ishte nën kritika pas përpjekjes për atentat ndaj Donald Trump më 13 korrik, ka dhënë dorëheqjen, njoftoi të hënën Shtëpia e Bardhë, raporton AFP dhe Reuters.
Kimberly Cheatle, shefja e këtij shërbimi elitë të ngarkuar me mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë amerikanë, pranoi një dështim operacional. Ajo ishte objekt i shumë thirrjeve për të dhënë dorëheqjen.
Cheatle u kritikua si nga kongresmenët demokratë, ashtu edhe nga ata republikanë kur u dëgjua të hënën në një komision të Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të parlamentarëve të pakënaqur me planin e sigurisë për mitingun e 13 korrikut dhe mënyrën se si institucionet e zbatimit të ligjit iu përgjigjën sjelljes së dyshimtë të sulmuesit.
Disa parlamentarë republikanë dhe demokratë i kërkuan Kimberly Cheatle të jepte dorëheqjen.
Në një komunikatë të publikuar të martën, presidenti demokrat Joe Biden shprehu mirënjohjen e tij për Kimberly Cheatle “për dekadat e saj të shërbimit.”
“Gjatë gjithë karrierës së saj në Shërbimin Sekret, ajo u përkushtua plotësisht dhe rrezikoi jetën e saj për të mbrojtur kombin tonë,” shtoi ai.
Hetimi i nisur do të përcaktojë rrethanat e përpjekjes për atentat kundër Trumpit, veçanërisht mënyrën se si sulmuesi arriti të arrinte me një pushkë gjysmë-automatike në çatinë e një ndërtese që ndodhej më pak se 150 metra larg podiumit nga ku ish-presidenti po i drejtohej simpatizantëve.
Një nga pjesëmarrësit në miting u vra, ndërsa dy të tjerë u plagosën, përpara se policia ta likuidonte sulmuesin – Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç. Është vërtetuar tashmë se ai kishte arritur të qëllonte tetë herë dhe mbijetoi 26 sekonda pas të shtënës së parë, përpara se të qëllohej për vdekje nga Shërbimi Sekret. Në fundjavën e kaluar, media amerikane raportoi se shërbimi kishte refuzuar disa kërkesa për të forcuar sigurinë e Trumpit.
“Edhe pse dorëheqja e drejtoreshës Cheatle është një hap drejt llogaridhënies, ne kemi nevojë për një analizë të plotë të mënyrës se si ndodhin këto dështime në masat e sigurisë, në mënyrë që t’i parandalojmë ato në të ardhmen,” deklaroi James Comer, kryetari republikan i Komisionit të Kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne do të vazhdojmë të monitorojmë Shërbimin Sekret,” shtoi ai.
Edhe presidenti Joe Biden, i cili së fundmi është tërhequr nga fushata për rizgjedhje, kërkoi një hetim të pavarur. Të martën, kur shprehu mirënjohjen për ish-drejtoreshën e Shërbimit Sekret për shërbimin e saj, ai tha se pret “me padurim” të vlerësojë përfundimet e këtij hetimi.
Kritika të shumta u drejtuan ndaj masave të pamjaftueshme të sigurisë në çatinë e ndërtesës industriale ku ishte vendosur snajperi, rreth 140 metra larg skenës ku fliste Donald Trump. Ajo çati ishte deklaruar jashtë perimetrit të sigurisë të përcaktuar nga Shërbimi Sekret për atë ngjarje, një vendim i kritikuar nga parlamentarët dhe ish-agjentët.
Ndër detyrat e Shërbimit Sekret janë mbrojtja e presidentit dhe zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, ish-presidentëve, familjeve të tyre, si dhe kandidatëve kryesorë për president dhe krerëve të shteteve të huaja që vizitojnë SHBA-në.