Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të intervistohet edhe sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Kjo lidhur me deklaratat e saj për arratisjet pas vrasjes së Faton Hajrizit, dhe gjithashtu lidhur me deklarimet se ka pasur ftesa për takime nga prokurorë e gjyqtarë.
Se do të vazhdojë edhe sot intervistimi i Haxhiut, e kishte konfirmuar zyra për media e Prokurorisë Speciale.
”Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Haxhiu në RTV Dukagjini, para dy javëve kishte thënë se ka pasur meszhe nga prokurorët dhe gjyqtarët për t’u marrë vesh.
“Ne po tentojmë që sistemi i drejtësisë me qenë i pavarur, mos me thënë këta janë njerëzit e Abelardit, këta janë njerëzit e Ilmi Reçicës, këta janë njerëzit e Sami Lushtakut. Por me thënë këta janë njerëzit e sistemit të drejtësisë, që përgjigjen vetëm sipas kompetencave” – tha ajo, duke pretenduar se “ka pasur mesazhe” nga prokurorët dhe gjyqtarët për t’u marrë vesh.
Sa i përket deklaratave të Haxhiut për arratisjet nga burgjet e Kosovës dhe lidhja e tyre me Serbinë, ministrja përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, pretendonte se në arratisjet e fundit, të cilat janë shpeshtuar, dorë ka edhe Serbia.
“Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë” – tha fillimisht ajo.
Duke shtuar, “E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës.
Haxhiu tutje ka thënë se për shkak të informacioneve “kundërthënse”, nuk mund të dihet me siguri nëse Faton Hajrizi është vrarë, dhe se ku saktësisht është vrarë.
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti.”.
Tutje, ministrja ka dënuar vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri.
“Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë. Akti i vrasjes të një polici e plagosjes së një tjetri në afërsi të Lloznicës në Serbi janë padyshim vepra të rënda kundër rendit, ligjit e policëve në detyrë zyrtare. Dënimi ndaj vrasjes së policëve është padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim të tillë.” – ka thënë ajo