Ende nuk ka një elaboratë të saktë që të tregojë se sa të qëndrueshme janë objektet publike, kolektive dhe ato të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës së Tetovës. Udhëheqësi i sektorit të urbanizmit në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani, thotë se janë në përpilim të raportit final për punën gjashtë-mujore në terren, i cili pritet t’i dorëzohet fillimisht Komunës së Tetovës, në fund të muajit korrik.
Raporti final për vlerësimin e qëndrueshmërisë së objekteve në Tetovë ndaj tërmeteve pritet të publikohet në fund të këtij muaji.
Udhëheqësi i Sektorit të Urbanizmit dhe menaxhimit me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani thotë se pas përpilimit të raportit final do të dihen saktësisht se cilat objekte publike janë më të qëndrueshme ndaj veprimeve sizmike, dhe cilat jo.
Nga Komisioni i ndërtimtarisë i cili përbëhet nga pesë anëtarë, dy të punësuar në Komunën e Tetovës dhe tre të jashtëm, njoftuan shkurtimisht për Portalb.mk se gjatë kësaj periudhe gjashtë-mujore është kryer inspektimi i shkollave fillore, ndër dhe Shkolla Fillore “Liria” si një nga më të vjetrat në qytet. Gjithashtu, janë inspektuar një pjesë e objekteve të spitalit të Tetovës, stadiumi i qytetit, dhe të tjera.
Kujtojmë se anëtarët e Këshillit Komunal të Tetovës në janar të këtij viti miratuan vendimin me të cilin u formua Komision i cili do të kryente vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit ndaj veprimeve sizmike të objekteve publike, kolektive si dhe objekteve të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës së Tetovës.
Objektet private ishin gjithashtu pjesë e debatit, por për ato ende nuk dihet se a do të inspektohen sepse në gjashtë mujorin e parë do të bëhet vetëm inspektim ndaj objekteve kolektive publike dhe ato të cila janë të mbrojtura nga trashëgimia kulturore.
Vetëm para tre ditëve një tërmet me magnitudë prej 2 shkallëve sipas Rihterit u regjistrua në rajonin e Shkupit. Më i forti për këtë vit qe më 12 janar, prej 3.8 gradësh ndërsa dy ditë më vonë me 14 janar tërmeti prej 4.5 shkallësh që ndodhi në Shqipëri u ndje edhe në disa qytete të Maqedonisë së Veriut.