Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rekomanduar për kontratë një kompani që i është ndaluar të marrë pjesë në tenderët publikë.
Kompania “A.R.F. SH.P.K” është rekomanduar për kontratën “Furnizim me material të shtypur” në një vlerë prej 19,888.69 euro, të cilën KEK-u e ka hapur si ofertë më datë 27.05.2024.
Para pak javësh, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, e cila e ka dënuar pronarin e kompanisë “A.R.F.”, pasi është vërtetuar se ai kishte falsifikuar një dokument për të fituar një tender në Komunën e Gjilanit, me vlerë 155 mijë euro. Fillimisht, Gjykata e ka dënuar me 1 mijë euro gjobë dhe 180 ditë burgim, por me kërkesë të të dënuarit burgimi është zëvendësuar me 4 mijë euro gjobë, duke arritur në total një dënim prej 5 mijë euro.
Bëhet fjalë për të dënuarin Avdi Koca, i cili gjatë ngritjes së aktakuzës kishte vendosur të heqë dorë nga aksionet në kompani, duke i zhvendosur ato te familjari i tij, Resmi Koca, i cili aktualisht figuron si aksionar dhe drejtor menaxhues. Megjithatë, Ligji i Prokurimit Publik ndalon pjesëmarrjen e kompanisë në tenderë për dhjetë vite në rast të dënimit nga një gjykatë kompetente, edhe nëse pronari është ndërruar.
Kjo është e theksuar edhe në dosjen e tenderit, tek ‘Kërkesat që duhet të plotësohen nga operatorët ekonomikë’, ku specifikohet kur operatori ekonomik nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit, përcjell Demokracia.com.
Aty thuhet: “6.2 Operatori ekonomik nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ose ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të fundit: a. është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, mitosjen, avantazhe ose aktivitete të ngjashme me ato të përshkruara në nenin 130.1 të LPP-së sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi në Kosovë ose në cilindo shtet, ose në çfarëdo marrëveshje ose konvente ndërkombëtare; b. është deklaruar i papërshtatshëm kur autoriteti kontraktues zbulon se kjo është një shkelje e rëndë profesionale, e konstatuar nga një gjykatë kompetente; c. është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale serioze të pjesëmarrjes në aktivitetet e një organizate kriminale, që përkufizohet si asociacion i strukturuar dhe i krijuar gjatë një periudhe kohore dhe që vepron në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit financiar përmes veprimeve që konsiderohen si kriminale ose të kundërligjshme në vendin ku ndodhin ato; ose d. është shpallur fajtor për mashtrim apo një akt të ngjashëm me mashtrim nga një gjykatë kompetente; e. është konstatuar nga një gjykatë kompetente, agjenci administrative ose organizatë për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale, se është sjellë në mënyrë joprofesionale; ose f. është konstatuar nga një gjykatë kompetente se ka bërë keqinterpretime para autoriteteve publike në Kosovë ose diku tjetër”.
Pra, siç shihet nga ndalesa drejtpërdrejtë për operatorin ekonomik (kompaninë), Avdi Koca është dënuar në emër të operatorit ekonomik, pra jo si person fizik, por juridik.
Një rast të tillë, ku operatori ekonomik nuk mund të marrë pjesë, e ka paraparë edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – KRPP, tek interpretimet që ka dhënë në pyetjet e parashtruara nga subjektet e ndryshme:
Pra, siç shihet, KRPP ka shkruar se “Dispozita e lartë cituar i referohet sjelljes joprofesionale, të cilat duhet të jenë të destinuara si sjelljet e një operatori ekonomik të kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij profesionale”.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore, thuhet se A.K. është fajtor për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, pasi që në nëntor të vitit 2021 në cilësinë e pronarit të kompanisë “ARF” gjatë një oferte në tenderin e shpallur nga Komuna e Gjilanit “Furnizim me material për zyre”, në vlerë 155 mijë euro, kishte prezantuar dokument të falsifikuar në vlerë 80 mijë e 363 euro të datës 31.01.2019 kinse të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, e që këtë dokument e kishte dorëzuar si referencë, kinse e ka kryer me sukses me Ministrinë e Mbrojtjes.
“Koha e kaluar në ndalim policor dhe arrest shtëpiak e të akuzuarit prej datës 13.03.2023 e deri 12.04.2024, domethënë 31 ditë, gjithsej prej 620 euro do t’’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me gjobë, e ku të njëjtit shuma e mbetur për pagesë i mbetet 4 mijë e 380 euro”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, përcjell Demokracia.com.
Ndaj këtij vendimi të Themelores, Prokuroria e Gjilanit kishte bërë ankesë pranë Gjykatës së Apelit, me pretendimin se dënimi ka qenë i ulët.
Në vendimin e datës 08.04.2024, Gjykata e Apelit ka marrë vendim për refuzim të ankesës së Prokurorisë së Gjilanit, me arsyetimin se është e pabazuar.
Sipas vendimit, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë është në përputhshmëri me dispozitat ligjore, nga të cilat gjykata ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese lidhur me rastin.
“Si rrethana lehtësuese rezulton se gjykata e shkallës së parë ka marrë parasysh: pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, rrethanat personale të tij, keqardhjen e shprehur lidhur me kryerjen e veprës penale, premtimin se në të ardhmen nuk do të kryejë vepra penale dhe faktin se kjo është hera e parë që ka ra ndesh me ligjin”, thuhet në vendimin e Apelit.
Në dhjetor të vitit 2022, kompania “ARF Sh.P.K” kishte arritur të nënshkruajë një kontratë për ‘furnizim me material zyrtar’ në vlerë 155 mijë euro me Komunën e Gjilanit falë një dokumenti që dyshohej se ishte i falsifikuar.
Gjatë fazës së tenderimit, kjo kompani kishte dorëzuar në Komunën e Gjilanit një referencë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes se gjoja e njëjta ka kryer me sukses një kontratë me këtë ministri për kohën që është kërkuar nga Komuna e Gjilanit.
Edhe pas ngritjes së aktakuzës, kjo kompani kishte arritur që të lidh disa kontrata me institucionet publike.