Projektligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për qytetarët dhe bizneset me një normë më të ulët tatimore nga sa është përcaktuar në ligj, është prezantuar dhe diskutuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
“Në bazë të kontekstit të ri të çmimit të referencave që kanë ndryshuar në Tiranë dhe hartës së re të referencave që do të jetë efektive nga mesi i shtatorit, ndërmerret kjo iniciativë për të rivlerësuar pasurinë e tyre me qëllim formalizmin e vlerave të pasurive të paluajtshme”, deklaroi deputetja e PS Blerina Gjylameti.
Deputetët kanë dhënë sugjerime sa i takon afatit, ku propozohet të shtyhet deri në fund të vitit të ardhshëm, pronave që duhet të rivlerësohen dhe përqindjes që do të aplikohet. “Njerëzit me 5% do të tkurren, propozoj të jetë me 3 %. Do sjellë më shumë të ardhura në buxhet”, deklaroi deputeti i PS Frrok Gjini.
“Afati të shtyhet deri në fund të 2025. Shikoni mos e zbresim tarifën deri në 2%”, deklaroi deputeti i PD Edmond Spaho. “S’mund të vlerësojmë prona që janë në proces legalizimi, pasi ata nuk janë pronarë. Duhet të jenë individë që kanë kryer legalizimin dhe janë në proces regjistrimi. Ata që kanë kontrata porosie duhet ta kenë paguar gjithë kontratën që të jenë posedues të pronës. Taksa të jetë 4%”, deklaroi deputeti i PS Vullnet Sinaj.
Ministri i Financave Ervin Mete sqaroi procedurën që do të ndiqet për të miratuar këtë projektligj, duke thënë se në parim rivlerësimi do të mbetet në normën 5%.
“Si procedurë projektligji vjen në Këshillin e Ministrave, Këshilli i Ministrave merr mendim nga një sërë institucionesh dhe më pas merr vendim. Këshilli i Ministrave do të kthejë një përgjigje të unifikuar përfshirë dhe aspektet teknike për objektet që janë në legalizim apo kontrata sipërmarrjeje. Në parim qëndrimi u dha dje nga kryeministri, sa i takon tekstit, duhet që institucionet kompetente të shprehen për zbatimin e atyre dispozitave”, deklaroi ministri i Financave Ervin Mete.
Sipas propozimit aktual ligji parashikohet të hyjë në fuqi datën 1 shtator 2024 dhe të ketë afat deri më 30 shtator 2025. Këshilli i Ministrave ka një afat 30 ditor për të kthyer përgjigje përfundimtare për normën e rivlerësimit dhe shtrirjen në kohë.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi dje se në parim opozita e mbështet këtë proces, por ajo ngre pikëpyetje për arsyet përse ndërmerret në këtë kohë kur një amnisti e tillë përfundoi në 2022. Blerina Gjylameti, që është nismëtare e këtij projektligji shpjegon arsyet e shumicës përse është e nevojshme pikërisht tani.
“Sepse kanë dalë çmimet e reja të referencës për Bashkinë e Tiranës dhe shumë shpejt do dali për të gjithë bashkitë”, tha ajo. Pika tjetër ku ndahen opozita dhe shumica është norma e përqindjes që do të aplikohet. Socialistët propozojnë nivelin 5 për qind, ndërsa demokratët deri në 3%.
Një tjetër shqetësim i opozitës është ajo e përdorjes nga mazhoranca e këtij procesi për përfitime elektorale pasi nis gjatë vitit elektoral, pretendim që nga socialistët hidhet poshtë. Aktualisht për çdo shitje prona tatohet me 15%, nëse qytetarët dhe bizneset, përfshirë dhe pasuritë, që janë në proces legalizimi, do të bëjnë rivlerësimin e pronës ata do të paguajnë nga shtatori i 2024 deri në shtator të 2025 vetëm 3 për qind tatim për diferencën midis çmimit që e kanë blerë pronën e tyre dhe vlerës që ata e shesin atë.