Seanca e jashtëzakonshme sotme e Kuvendit të Kosovës, në rend dite pati vetëm një pikë, “Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë- Bosnje e Hercegovinë”.
Deklaratën e ka lexuar nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, derisa në seancë të pranishëm ishin 84 deputetë.
“Vlerësoj se caktimi i 11 korrikut si dita e përkujtimit dhe reflektimit të gjenocidit të 1995-s në Srebrenicë, të solidarizohemi me të mbijetuarit dhe përkujtimi për Srebrenicën të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë, për të parandaluar tragjedi në të ardhmen”, ka deklaruar Shabani.
Të gjithë, 84 deputetë kanë votuar pro miratimit të kësaj deklarate.
“Konstatoj se Kuvendi miratoi deklaratën”, tha kryekuvendari Glauk Konjufca.
Kuvendi i Kosovës e ka nisur seancën e sotme të jashtëzakonshme me një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Seanca po vazhdon me pika të tjera të seancave të kaluara./Reporteri.net/.