Kina dhe Bjellorusia kanë filluar të hënën stërvitje të përbashkëta ushtarake, njoftuan Ministritë e Mbrojtjes nga të dy vendet, me stërvitjet që zhvillohen vetëm disa kilometra nga kufiri me Poloninë, një vend anëtar i NATO-s, dhe duke filluar në prag të samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, raporton Reuters.
“Ngjarjet që po ndodhin në botë janë alarmante, situata është e paqëndrueshme dhe, për këtë arsye, ne do të praktikojmë forma dhe metoda të reja për përmbushjen e detyrave taktike,” tha gjeneralmajor Vadim Denisenko, shefi i Komandës së operacioneve speciale nga Bjellorusia, në një postim në Telegram, i cituar nga Ministria e Mbrojtjes.
Manovrat, të quajtura “Falcon Assault”, do të zgjasin deri më 19 korrik dhe po zhvillohen në një terren trajnimi afër qytetit Brest, tha ministria. Brest, në jug-perëndim të Bjellorusisë, ndodhet në kufi me Poloninë.
Liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s mblidhen të martën në Uashington për një samit ku mbështetja ushtarake dhe financiare për Ukrainën do të jetë në agjendën e takimit.
Bjellorusia i ka lejuar Rusisë të përdorë territorin e saj si një nga platformat për nisjen e pushtimit në shkallë të gjerë të Moskës në Ukrainë në 2022.
Si pjesë e “stërvitjeve antiterroriste”, personeli ushtarak nga të dy vendet do të trajnohet për zbarkim gjatë natës dhe do të kryejë operacione në një zonë të populluar, sqaroi Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë.
Ministria gjithashtu postoi një seri fotografish në Telegram ku shihen trupa kineze që zbarkojnë gjatë fundjavës nga një avion dhe shkarkojnë pajisje. Në postimet e së hënës, ministria tregon trupa që marshojnë në një terren trajnimi. Nuk është e qartë numri i ushtarëve që marrin pjesë në stërvitje.
Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi të hënën në një deklaratë se Bjellorusia organizoi “një ceremoni të madhe mirëseardhjeje” për trupat kineze që arritën në Bjellorusi më 6 korrik.
“Trajnimi i përbashkët ka për qëllim të zhvillojë aftësitë e koordinimit të trupave pjesëmarrëse dhe të thellojë bashkëpunimin praktik ndërmjet dy ushtrive,” thuhet në deklaratë.
Në një postim në Telegram, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë deklaroi të hënën se madhësia e forcave të NATO-s në kufi me Bjellorusinë po rritet me shpejtësi, çka po çon në intensifikimin e tensioneve në rajon.
“Vendi ynë po merr të gjitha masat e mundshme për të parandaluar përshkallëzimin. Megjithatë, nëse dikush i kalon kufijtë tanë, reagimi do të jetë i ashpër,” thuhet në postim.