Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak në postimet e tij për zhvillimet e javës së kaluar, ka raportuar për negociatat me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Në Bruksel, isha nikoqir i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë pas takimit të nivelit të lartë nga java e mëparshme. Pas më shumë se shtatë orësh bisedimeve intensive, u pajtuam për hapat konkretë në disa çështje praktike. Fatkeqësisht, nuk arritëm të bënim progres në fotografinë e madhe – implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçaku teksa ka thënë se javën e ka nisur me një vizitë në Londër.
Edhe më dy korrik, Lajçak kishte raportuar për të njëjtën gjë. “Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me Besnik Bislmin dhe Petar Petkoviqin. Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh dhe ramë dakord për një sërë hapash vijues”, ka shkruar Lajçak në “X’.
Pala serbe ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të Marrëveshjes Bazë, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjatë bisedimeve në Bruksel, ka thënë më 2 korrik kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.
Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si “të vështira, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Paraprakisht, Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin.
Takimi trepalësh filloi me vonesë, pasi bisedimet dypalëshe ndërmjet palës evropiane dhe asaj serbe zgjatën mbi dy orë, dyfish më gjatë sesa ishte planifikuar.