Rritja e çmimit të naftës dhe plehrave artificialë nga njëra anë, kurse ndihma e vogël e shtetit dhe mungesa e fuqisë punëtore nga ana tjetër kanë bërë që bujqit gjithnjë e më shumë të largohen nga bujqësia. Në prag të fillimit të sezonit të korrjes së grurit, bujqit janë ankuar se hasin në vështirësi të mëdha për të mbijetuar. Kurse, problem në vete janë edhe ndryshimet klimatike të cilët pamundësojnë që bujqit të mos marrin atë që edhe e mbjellin, sepse shpesh herë dëmtohen të gjitha prodhimet nga reshjet e shiut dhe të breshrit.
“Bujqit shprehen se do heqin dorë nga bujqësia, mungon ndihma, por mungojnë edhe punëtorët. Sipas tyre kohëve të fundit ekzistenca nuk mund të sigurohet nga toka. “Subvencione për grurin për dikë ka e për dikë jo. Ne kemi tokat me qira, dhe nuk na japin subvencione sepse si kemi gjitha tokat tona. Nuk na kanë madje as subvencionet për qumështin nga 2021, për dhentë nuk na kanë dhënë por ja e shtyjmë me zor sa mundem. Punëtorë nuk kemi aspak, ja mundohem me djalin dhe një djalë nga fshati. Familjarisht mundohemi. Nuk mendoj të vazhdoj më me bujqësi sepse plehrat janë shtrenjtë, thasët shtrenjtë nafta e pjesët e makinave shtrenjtë dhe nuk mbulohen assesi as harxhimet. Unë i kam bë 45 vjet por djali im 17 vjeç nuk do e vazhdoj këtë punë, sepse në fund nuk na del aspak llogaria”, thotë Gazmend Sejdiu, bujk nga rajoni i Pollogu.
Zakonisht në rajonin e Pollogut, janë rreth 5 mijë bujq që mbjellin grurë. Ata në të kaluarën kanë marrë edhe nga gjashtë mijë kilogram grurë për një hektarë, kurse viteve të fundit dukshëm ka rënë rendimenti. Në njësinë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë thonë se të mbjellat krahasuar me vitin e kaluar janë pothuajse të njëjta. Mirëpo, për shkak të motit të keq rendimenti këtë vit do të jetë shumë më i dobët. Shkaku nuk është vetëm situata e fundit me bujqit, por edhe reshjet e shiut në stinën e pranverës kur shumë pak ditë kishte me diell dhe kjo ka ndikuar dukshëm që bujqit të marrin më pak grurë. “Nëse llogarisim motin, më shumë i bie se kemi pas reshje shiu dhe kjo ka ndikuar në rënie të rendimentit. Nëse ka dhënë nga 3500 – 4000 kilogram grurë për hektar, sivjet me reshjet e fundit dhe dëmet që ka bërë breshëri tek kokrrat e grurit, rendimenti do jetë shumë më i vogël, apo deri në 3500 kilogram për hektar. Në disa pjesë ku nuk ka pas breshër rendimenti do jetë nga 3500 – 4700 kilogram për hektar”, tha Afrim Sejrani, shef i Njësisë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë.
Tashmë në disa rajone ka filluar korrja e grurit, ndërsa pritjet e bujqve ishin të mëdha për këtë vit, por reshjet e fundit kanë bërë që gruri të ketë më pak rendiment se sa viteve të kaluara. Në këtë drejtim, bujqit pohojnë se nëse vazhdohet ky trend, që edhe më tej të mungojë ndihma nga shteti atëherë bujqësia në rajonin e Pollogut do të shuhet tërësisht, sepse askush nuk do të merret.