Pas më shumë se pesë vjet, pas kërkesës për pëlqim mjedisor, është miratuar përfundimisht vendimi për projektin “Borea”, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Mjedisor dhe Infrastrukturës.
E filluar para gjashtë vjetëve, në kohën e Qeverisë së udhëhequr nga ish-kryeministri Isa Mustafa, projekti për ndërtimin e Qendrës Turistike dhe Rekreative “Borea” ka qenë i bllokuar për disa vite, pasi kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kishte akuzuar politikën për pezullimin e lejes së ndërtimit nga Ministria e Ambientit gjatë Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Qendra e Skijimit “Borea” në Pejë, e cila konsiderohet mundësi e madhe për zhvillim do të shtrihet në pjesën ku dikur ka qenë kazerma e ushtrisë jugosllave.
Operatori fitues i tenderit për ndërtimin e “Borea” në Bjeshkët e Kopranikut të Pejës është konsorciumi italiano-zviceran Leitner AG Spa & Filav SA.
Ndryshe, “Borea” është vetëm 900 metra larg qendrës së qytetit të Pejës, ndërsa pozita gjeografike e bënë atë në njërën ndër qendrat më të mira në rajon, me ç’rast për 13 minuta mund të arrihet lartësia mbidetare prej 2,400 metrash, si dhe me kapacitet shfrytëzimi për të katërt stinët e vitit.
Projekti i “Boreas” përfshinë një hotel me kapacitet mbi 150 dhoma dhe një kompleks tjetër me apartamente. Ana tjetër do të jetë një qendër ku njerëzit do të mund të ushqehen dhe të marrin pajisje skijimi. Prej aty, teleferiku do t’i dërgojë gjerë në vendin që quhet “Livadhi i Adilit” apo më pas Borea, ku do të jetë një restaurant. Prej asaj pike sipas projektit, fillojnë pistat e skijimit, gjerë në maje të malit./IndeksOnline/