Qeveria ka çaluar në përmbushje të programit legjislativ të paraparë për 6 muajt e parë të vitit. Projektligje me rëndësi në fushën e drejtësisë, shëndetësisë e ekonomisë janë prej tre vjetësh në agjendë. Përveç kritikës, në shoqërinë civile shprehin edhe skepticizëm se programi legjislativ do të përmbushet me sukses në pjesë e dytë të vitit.
Për të dytin vit me radhë Qeveria nuk ka arritur ta miratojë Projektkodin Civil. Ai është një prej dhjetëra projektligjeve që planifikohej të kryhej deri në fund të qershorit.
Njësoj, miratim nuk iu dha as Projektligjit për sigurime shëndetësore e as atij për skemën e ndihmës sociale.
U miratuan vetëm 8 nga 54 sa ishin planifikuar për pjesën e parë kë këtij viti.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se Qeveria arriti të përmbushë vetëm 15 për qind të agjendës, më pak se secila para saj.
Naim Jakaj, hulumtues në këtë institut, tha se ekzekutivi ka hartuar program ambicioz, por që nuk e ka përcjellë me efikasitet në miratim.
“Ta zëmë, Kodi Civil është i planifikuar të miratohet më 28 qershor, nuk është miratuar. Ka qenë premtim edhe i ministres që do ta sjellë me shpejtësi. Ajo shpejtësi është prej vitit 2022 dhe që i bie se nuk ka hyrë në fuqi asnjëherë. Edhe tjetra është që janë 6 projektligje nga deklarata e zotimeve që është e nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë me KGJK-në dhe KPK-në që janë të planifikuara të miratohen më 28 qershor, por në ndërkohë ato janë online në platformën e konsultimeve publike deri më 2 korrik”, ka thënë Jakaj për KTV-në.
E Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), u shpreh se edhe Qeverisë, e edhe Kuvendit u mungoi përgjegjësia në draftim e miratim të ligjeve.
“Gjatë këtij sesioni te këta dy aktorë kemi pasur një lloj mungese të përgjegjësisë kundrejt agjendës legjislative, fillimisht nga ekzekutivi që në kuptim të draftimit ka çaluar shumë, veçanërisht me pritshmëritë që ata i kanë ndërtuar në kuptim të agjendës që kanë përpiluar. Dhe, nga Parlamenti kemi parë ashtu qasjen e njëjtë, meqenëse ka pasur vonesa në trajtimin e projektligjeve, mandej kemi pasur njëfar lloj qasjeje të njëjtë me mungesa të shumta, e përgjithësisht një sjellje joserioze kundrejt agjendës legjislative”, ka thënë Thaçi.
Përveç Ministrisë së Financave, asaj të Drejtësisë, të Punëve të Brendshme dhe të Mjedisit që miratuan 1 deri në 3 projektligje, të tjerat nuk e kanë asnjë nismë ligjore të miratuar në Qeveri brenda planifikimeve 6-mujore.
“Ministritë më dembele për këta 6 muaj janë MAPL-ja, MINT-i, MBPZHR-ja dhe MPJ-ja që si IKD konsiderojmë që është njëra ndër ministritë më dembele në raport me procedimin e projektligjeve. Janë tri projektligje të rëndësishme nga kjo ministri që nuk janë miratuar, nuk janë vendosur në konsultime prej vitit 2021”, ka thënë ai.
E, sipas Thaçit, zgjedhjet që pritet të mbahen më së largu në fillim të vitit të ardhshëm do ta afektojnë progresin në përmbushje të programit legjislativ.
“Nëse kujtojmë edhe arritjen e realizimit të vitit të kaluar dhe të faktit që kemi të bëjmë me një sesion që është në prag të futjes në zgjedhjet parlamentare, pritshmëritë tona janë mjaft të ulëta në përmbushjen e agjendës legjislative”, ka theksuar ai.
Jashtë planifikimit Qeveria ka miratuar dy projektligje të 6-mujorit të dytë dhe 10 marrëveshje ndërkombëtare që nuk ishin pjesë e programit.
Në ekzekutiv nuk dhanë përgjigje për vonesat dhe për pritjet në përmbushje të planit legjislativ për pjesën e mbetur të vitit.
E, në një hulumtim të publikuar këtë javë nga IKD-ja janë identifikuar edhe mangësi të tjera thelbësore në qasjen e Qeverisë ndaj planifikimit legjislativ.
“Për të tretin vit radhazi Qeveria dështoi të miratojë programin legjislativ në fillim të janarit, duke e miratuar më një muaj vonesë. Kjo vonesë ka cenuar procesin e planifikimit dhe ka krijuar pasiguri për publikun, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe institucionet përkatëse. Pas miratimit të vonuar, programi legjislativ shpesh është ndryshuar, duke treguar mungesën e një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme. Programi për këtë vit iu nënshtrua ndryshimeve në shkurt”, thuhet në raportin e IKD-së.
Tjetër çështje shqetësuese, sipas IKD-së, është mospërfshirja në programin legjislativ e projektligjeve që rrjedhin nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Planit Kombëtar për Zhvillim dhe Programit Qeverisës 2021-2025. Ky institut ka vlerësuar se mospërfshirja e tyre reflekton mungesë përkushtimi ndaj reformave strukturore dhe prioriteteve të Qeverisë.
“Kjo mangësi e përsëritur tregon paaftësi në zbatimin e politikave publike, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e qeverisjes dhe aftësinë për të adresuar nevojat e qytetarëve. Për më tepër, kjo neglizhencë mund të shkelë standardet demokratike dhe të zbehë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”, thuhet në vlerësimin që IKD-ja ka bërë për punën e Qeverisë në 6 muajt e parë të vitit.
Sipas IKD-së, edhe në kuadër të zotimeve në Programin Qeverisës 2021-2025, Qeveria Kurti ka dështuar t’i përcjellë premtimet kryesore me miratim të projektligjeve, se kur i ka miratuar ato kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe se disa ligje i ka proceduar vetëm pas detyrimit nga Gjykata Kushtetues