Bolivia tërhoqi ambasadorin e saj në Argjentinë të hënën për konsultime, pas një skandali të ri diplomatik të shkaktuar nga presidenti Javier Milei, i cili nuk do të shkojë në samitin e Mercosur, ku duhej të takohej me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, vëren AFP.
“Presidenca kundërshton denoncimin e rremë të një grushti shteti nga qeveria boliviane, i konfirmuar sot si i rremë”, thuhet në një njoftim për shtyp nga zyra e presidencës argjentinase të lëshuar gjatë natës nga e diela në të hënë.
Ish-presidenti Bolivian Evo Morales akuzoi të dielën pasardhësin e tij Luis Arce se “gënjente” për një “grusht shteti” në La Paz. Luis Arce këmbënguli në fund të javës se “qartësisht” kishte “një grusht shteti të dështuar ushtarak” të mërkurën.
Në shenjë pakënaqësie me qëndrimin e shprehur nga presidenti Mila, Bolivia tërhoqi të hënën ambasadorin e saj në Argjentinë për konsultime.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Bolivisë thirri ambasadorin argjentinas në La Paz për ta informuar atë për “refuzimin me vendosmëri të deklaratave” të bëra nga zyra e Presidentit Mila.
Kreu i shtetit argjentinas ka shkaktuar tashmë skandale diplomatike me Brazilin dhe Spanjën dhe liderët e tyre të majtë, presidentin Luiz Inacio Lula da Silva dhe kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez.
Ndër të tjera, Javier Milei e përshkroi homologun e tij brazilian si një “të majtë të vogël” me një “ego të përflakur”.
Të dy do të takoheshin më 8 korrik në Asuncion me rastin e samitit të Mercosur. Por, të hënën, presidenca argjentinase njoftoi se, “për arsye të rendit të ditës”, Milei nuk do të shkojë në samitin e bllokut tregtar të formuar nga Brazili, Argjentina, Paraguaj, Uruguai dhe Bolivia.
Në fund të majit, Spanja tërhoqi ambasadorin e saj në Buenos Aires pas krizës diplomatike të shkaktuar nga Javier Milei, i cili tha për gruan e kryeministrit Sanchez se ajo është një “grua e korruptuar”.