Teksa në total numri i bizneseve ka ardhur në rritje vitin e kaluar, disa aktivitete janë në krizë dhe po mbyllen me shpejtësi.
Sektori me mbylljen më të lartë të aktiviteteve ishte “Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensionit”, ku në vitin 2023 rezulton se janë mbyllur 180 sipërmarrje. Këto përfaqësojnë kryesisht persona të vetëpunësuar me licenca brokerimi dhe agjentë shitjesh.
Prodhimi i mobilieve shënoi sërish rënie të numrit të bizneseve në vitin 2023 me rreth 26 sipërmarrje të mbyllura. Rënia e bizneseve në këtë sektor vijon për të disatin vit radhazi. Prodhuesit e mobilieve nuk janë duke përfituar nga oferta e lartë e ndërtimit.
Bizneset e vogla të këtij sektori janë duke falimentuar nga konkurrenca e mobilieve të importuara pasi vijnë më kosto të lirë. Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e kostove të lëndëve të para dhe rritja e pagave të punonjësve po çojnë në falimente, teksa puna është përqendruar në prodhuesit e mëdhenj.
Banesat e reja në Tiranë edhe pse janë shitur, po qëndrojnë bosh në një pjesë të konsiderueshme, teksa hotelet preferojnë të punojnë më bizneset e mëdha të sektorit, pohoi F. Aliaj që zotëron një njësi të vogël prodhimi mobiliesh në Tiranë. Në këtë aktivitet operojnë 361 ndërmarrje në të gjithë vendin me rënie 6.7% më 2023.
Aktivitetet e nxjerrjes e mineraleve u renditën të tretat për numrin më të madh të bizneseve të mbyllura më 2023. Të dhënat e INSTAT referojnë se vitin e kaluar, stoku i bizneseve që nxjerrin minerale nga nëntoka ose karrierat u tkurr me 24 biznese, me rënie vjetore 5.4%.
Aktiviteti tjetër me mbylljen më të madhe të bizneseve ishte sektori i arsimit. Vitin e kaluar, numri i sipërmarrjeve në aktivitetet e edukimit shënoi 1361 ose 19 biznese më pak se në vitin 2022, me rënie 1.4%.
Reduktimi i numrit të fëmijëve nga lindjet më të pakta dhe emigracioni i lartë i familjeve po pakëson aktivitetet e kopshteve dhe shkollave private në vend.
Vit pas viti, numri e fëmijëve në shkolla po tkurret, duke ushtruar presion edhe për mbylljen e aktiviteteve në fushën e arsimit që nga kopshtet deri tek universitetet.
Gjithashtu, aktivitetet e telekomunikacionit dhe ato të lojërave të fatit shënuan rënie të stokut të ndërmarrjeve më 2023, të ndjekura nga ndërmarrjet e ujësjellësit, të cilat po reduktohen nga një reformë në sektorin publik që rigrupon ndërmarrjet në njësi rajonale më të mëdha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.