Treguesi i ndjesisë ekonomike, një indeks i përmuajshëm i Bankës së Shqipërisë, regjistroi rënie me 2.6 pikë në muajin qershor, por që gjithsesi qëndron mbi mesataren historike. Rënia këtë muaj u ndikua kryesisht nga dobësimi i treguesve në sektorin e tregtisë, të shërbimeve dhe të ndërtimit. Në një masë më të vogël ndikoi edhe rënia e besimit në sektorin e industrisë dhe besimit të konsumatorit. Treguesi i besimit në tregti regjistroi rënien më të madhe me 4.8 pikë përqindje, ndikuar kryesisht nga vlerësime në rënie të ecurisë aktuale të biznesit dhe pritjeve për punësimin. Pritjet për ecurinë e biznesit në të ardhmen regjistruan gjithashtu rënie, kundrejt pritjeve në rritje për çmimet në të ardhmen.
Sipas SCAN, treguesi i besimit në shërbime ra me 3.8 pikë përqindje, ku kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Pritjet e bizneseve për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë me rritje. Treguesi i besimit në ndërtim ra me 2 pikë përqindje, përcaktuar kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues dhe kontratat porositëse. Gjithashtu, pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rënie, ndërsa ato për punësimin paraqiten në përmirësim. Treguesi i besimit të industrisë ra lehtësisht me 0.4 pikë përqindje në muajin qershor, i ndikuar nga vlerësimet më pak optimiste për kontratat porositëse vendase dhe të eksportit.
Pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen kanë regjistruar rënie, ndërsa e kundërta ka ndodhur me pritshmëritë e çmimeve të produkteve në të ardhmen. Treguesi i besimit konsumator regjistroi një rënie të lehtë me 0.4 pikë përqindje, duke zbritur afër nivelit të mesatares historike. Konsumatorët vlerësuan me rënie situatën e tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen. Vlerësimi i tyre për blerjet në shuma të mëdha ra lehtë në muajin qershor.
Ndërkohë, pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë. Të dhënat me frekuencë tremujore tregojnë se gjendja financiare e bizneseve dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre është rritur në tremujorin e dytë, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024. Në veçanti, në sektorët e industrisë dhe shërbimeve balanca e gjendjes financiare është zgjeruar me 7.7 pikë përqindjeje krahasuar me atë të një tremujori më parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është rritur gjithashtu, në krahasim me tremujorin e parë, në të gjithë sektorët e biznesit.