Festë kanë pasur ekstremistët e Serbisë të enjten mbrëma, kur kanë arritur që bashkë me shtetin ta anulojnë festivalin “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd. Një grup prej 100 pjesëtarësh prej turlifarë organizatash djathtiste kanë arritur që paralajmërimet t’i bëjnë urdhër shtetëror që shqiptarët të mos priten në Serbi. Organizatorët e “Mirëdita…” dhe aktivistë për të drejtat e njeriut një rast si ky e kanë cilësuar “rreshtim të Serbisë dhe të institucioneve të saj në anën e huliganëve”
Serbia e ekstremistëve dhe e huliganëve – në protestat e të cilëve thirrjet për vrasjen e shqiptarëve janë krejt të zakonshme – tok me zyrtarë të shtetit, e ka ndaluar festivalin “Mirëdita, dobar dan!”. E ka bërë këtë me urdhër shtetëror. Funksionarë të lartë, disa javë më parë u kishin prirë thirrjeve për anulimin e kësaj ngjarjeje, kanë nxitur popullin të dalë në protesta e të enjten e kanë konkretizuar anulimin ashtu siç kishin paralajmëruar.
Mbi 100 pjesëtarë turlifarë organizatash ekstremiste serbe janë bërë bashkë duke rrethuar vendin ku pritej të bëhej hapja, kanë dhënë “shfaqjen” e tyre për “Kosovën zemër të Serbisë”, kanë pirë e festuar edhe me “trubaçë” dhe nuk janë larguar as pasi zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme dha urdhrin për ndalimin e “Mirëdita…”. Kanë protestuar deri të enjten vonë, nuk janë larguar “pa u bindur mirë” se festivali “Šiptar” nuk do të mbahet. Për organizatorët “Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë u rreshtua me huliganët”.
Huliganët në “mision” edhe pas anulimit
Huliganët deri në orët e vona të mbrëmjes kanë vazhduar të mbajnë të bllokuara hyrjet e organizatës kulturore “Dorćol Platz”, ku në mbrëmje do të hapej edicioni i sivjetmë i Festivalit. Organizatorë protestash janë deklaruar grupi i tifozëve të “Crvena Zvezda”, “Delije sever”. Këngë nacionaliste bashkë me thirrjet për vrasje shqiptarësh janë repertori i përhershëm në ngjarje të tilla. Njëra prej rrugëve ku kanë protestuar ka qenë edhe ajo me emrin e heroit kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut. “Skenderbegova” çon deri te “Dorćol Platz” njësoj sikurse ajo e “Car Dushanit”.
Përderisa një grup artistësh shkaku i provave dhe rregullimit të ambientit është dashur të jenë më herët në kryeqytetin serb, një pjesë tjetër janë nisur të enjten në mëngjes. Mesdita rreth 100 protestues i ka gjetur në rrugën “Dobraçina” duke bllokuar kalimin e makinave e njëherësh edhe mundësinë për t’u futur në “Dorćol Platz”. Kanë shkuar edhe më tej. Kanë vendosur një dry në një prej hyrjeve me simbolikën e bllokimit të artistëve brenda. Policia, për dallim prej edicioneve të kaluara ku organizohej edhe përballë rreth 500 vetave, të enjten ka bërë sehir përreth.
“Kemi urdhër të mos ju lejojmë të hyni në Beograd”
Në anën tjetër, grupi i nisur nga Prishtina i është nënshtruar një kontrolli të detajuar në pikën kufitare në Merdar. Është parë qartë se ka një organizim më të madh se ai i përditshmërisë në pikë kufitare. Kontrollimi me detaje i autobusit është shoqëruar edhe me kontrolle të të gjithë bagazhit. Aty-këtu mbi tavolinë janë nxjerrë edhe të gjitha rrobat. Ky lloj spektakli është mbikëqyrur nga komandanti i stacionit policor të Prokuples, i cili ka qenë aty në cilësinë e eprorit për të shikuar nëse gjithçka shkonte në rregull. Si zakonisht grupi prej afro 20 vetash, nën shoqërimin e një patrulle policore, ka vazhduar rrugën për Beograd. Pa kurrfarë telashesh në 13:45 mjeti transportues ka arritur në Vrçin, fiks 25 kilometra larg nga Beogradi. E aty ka ndërruar muhabeti.
“Kemi urdhër të mos ju lejojmë të hyni në Beograd”, ka thënë njëri prej policëve që i ka prirë autobusit deri aty. E pas gjysmë ore vendimi ishte i prerë: “Vazhdojmë prapa për në pikën kufitare”.
Grupi nga Kosova, pjesëmarrës e punonjës të mediave, ka mbërritur në 13:45 në Vrçin, fiks 25 kilometra larg nga Beogradi. E aty ka ndërruar muhabeti. “Kemi urdhër të mos ju lejojmë të hyni në Beograd”, ka thënë njëri prej policëve që i ka prirë autobusit deri aty. E pas gjysmë ore vendimi ishte i prerë: “Vazhdojmë prapa për në pikën kufitare” (Foto: KOHA)
Urdhri i ndalimit dhe shkelja e lirisë
Kthimi ka ndodhur pasi zëvendëskryeministri e ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka dhënë urdhër për ndalimin e aktiviteteve të Festivalit që organizohet nga “Integra” me Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativën Qytetare të Serbisë.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë urdhër që të ndalohet tubimi publik ‘Mirëdita, dobar dan!’ për shkak të rrezikut për cenimin e sigurisë së njerëzve dhe të pronave prej prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më mëdha”, është cituar Daçiq. Më pas urdhri është kumtuar edhe me shkrim nëpërmjet njoftimit. Këtu ka përfunduar edicioni i sivjetmë, i 11-ti me radhë. I është dhënë fund pak orë pa filluar.
Për organizatorët me këtë urdhër, përmes aplikimit të masave disproporcionale, Ministria e Punëve të Brendshme ka shkelur Kushtetutën e Serbisë, specifikisht lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit, si dhe një numër ligjesh, duke përfshirë të paktën dy nene të Ligjit për tubime publike.
“Vendosja e barrës mbi organizatorët në vend se të merren me huliganët, dhe dështimi për të siguruar tubimin është kundër rendit ligjor dhe Kushtetues së Republikës së Serbisë, si dhe kundër standardeve e praktikave në fuqi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, shkruhet në komunikatën e përbashkët.
Janë renditur figurat shtetërore që kanë udhëhequr fushatë linçuese kundër festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” si ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq, ministrja i Mirëqenies Familjare dhe Demografisë, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, kryetari i Beogradit, Aleksandar Shapiq, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq. Sipas organizatorëve “ata që kanë përgjegjësi të mbajnë rend, ishin ndër të parët që nxitën urrejtje, jotolerancë dhe i dhanë zë linçimit, që përfundimisht çoi në ndalesën zyrtare të Festivalit”.
“Festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ nuk është armiku i shtetit, por huliganët me të cilët shteti është rreshtuar dhe për hir të të cilëve ka dështuar të përmbushë obligimet e veta. Detyra fondamentale e shtetit është të sigurojë të drejtat dhe liritë e garantuara me ligj dhe të sanksionojë në mënyrë të duhur ata që shkelin këto apo organizohen kundër të drejtave dhe lirive të qytetarëve”, shkruhet në komunikatë.
Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, dikur prijëse e protestave kundër “Mirëdita, dobar dan” me organizatën ekstremiste djathtiste “Zavetnici”, tash ministre e Mirëqenies, ka duartrokitur protestuesit për ndaljen e Festivalit.
“’Mirdita, laku noć’ (‘Mirëdita, natën e mirë’. Ky popull ka krenarinë e tij dhe kufij të qartë midis tolerancës dhe mazohizmit. Të huajën e respektojmë, tonën s’e japim”, ka shkruar ajo.
Artistët si pengje të protestuesve
Organizatorët kanë dhënë edhe disa detaje. Është sqaruar se gjatë pranisë së një pjese të artistëve në ndërtesën ku do të duhej të mbahej Festivali “nën mbikëqyrjen e policisë, huliganët arritën të vendosin një dry në daljen e jashtme, duke krijuar një situatë ku njerëzit po mbahen peng brenda ndërtesës para syve të anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët pretendojnë se nuk mund të ndërhyjnë”.
Në komunikatë shkruhet se përmes ndalimit të Festivalit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Serbisë edhe një herë e kanë demonstruar se liria për tubim aplikohet vetëm për grupet huligane, jo për pjesëmarrësit dhe mysafirët e Festivalit.
“Gjatë njoftimit për ndalim, organizatorët u urdhëruan, nën kërcënimin e pasojave, që të sigurohen që të gjithë pjesëmarrësit të largohen nga Serbia, edhe pse vetë ndalimi nënkupton se ata më nuk janë pjesëmarrës të Festivalit por individë të lirë”, shkruhet në komunikatë.
Aty bëhet e ditur se të mërkurën dhe të enjten grupe të ndryshme huligane dhe neonaziste si “Delije Sever”, “Patrolla e Njerëzve”, “Grupi 451” dhe “Zetropa Serbia” u lejuan që lirshëm të zaptojnë hapësirën “Dorcol Platz”, hapësira kulturore ku ishte menduar të niste Festivali.
“Dje, muret e jashtme të ‘Dorcol Platz’ u ngjyrosën me mesazhe kërcënuese shoviniste të drejtuara për mysafirët e Festivalit. Incidenti menjëherë u raportua në polici dhe më pas mesazhet u fshinë nga organizatorët”, shkruhet në komunikatë.
Organizatorët kanë bërë edhe një krahasim. Kanë shkruar se në vend se të garantonte sigurinë e qytetarëve gjatë përpjekjeve që bartin mesazhe bashkëpunimi e paqeje, edhe një herë MPB-ja u rreshtua me huliganët, siç ishte rasti kur policia e mbronte muralin e Ratko Mladiqit në vitin 2021.
“Përkundër kësaj, ne do të ankohemi kundër këtij vendimi për ndalim dhe do të demonstrojmë mungesën e plotë të bazës mbi të cilën ai është ngritur. Ky ndalim është rezultat i një kampanje të autoriteteve serbe kundër lirisë së shprehjes dhe promovimit të kreativitetit artistik, në të cilën janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësues e udhëheqës të strukturave të larta shtetërore”, shkruhet në komunikatë.
Në këtë frymë ka reaguar edhe aktivistja Natasha Kandiq. Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare ka thënë se me ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, Serbia dhe institucionet e saj janë “rreshtuar në anën e huliganëve dhe në terrin më të zi etnonacionalist”.
“Në Serbi nuk mund të organizohet më debat për pajtim e as protesta kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës. Vrimë e zezë”, ka shkruar Kandiq në platformën “X”. Ka pasur edhe të tjerë zëra që kanë kundërshtuar ndalimin e Festivalit.
Kronika e ndalimit të paralajmëruar
Krejt kjo ishte kronikë e paralajmëruar. Diskutimet për marrëdhëniet kulturore, bashke me shfaqjen “Babai dhe babai” e filmin “Vera andrron detin” nga pushteti serb janë parë si sulme të rënda. Festivali është përshkruar si “NATO-Festival”. Qysh para dy javësh vetë ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, kishte dalë kundër Festivalit.
“Ta shohim se çfarë do të ngjajë. Unë kam thënë se është ngjarje me rrezikshmëri të lartë. Bëhet fjalë për hapësirë që nuk është publike. Nuk kanë qasje organet tona shtetërore. Ne bëjmë apel që të anulohet. Çfarë masash do të ndërmarrë shteti në këtë moment, nuk mund ta them”, kishte thënë Daçiq në programin e mëngjesit në televizionin “Pink”. Sipas ueb-faqes së këtij mediumi, Daçiq kishte shtuar se ky manifestim po mbahet tash e sa vjet, por ai mendon se “tash nuk është koha për të”.
Por nxitëse ishte deklarata e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin. I adresohej edhe popullit serb që të reagojë. Kishte deklaruar se mbajtja e këtij festivali kulturor në ditën e Vidovdanit është “fyerje së cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”.
“Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, kishte thënë Vulin.
Të mërkurën Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – bashkorganizatore e Festivalit me Iniciativën Qytetare të Serbisë ka bërë dhjetë ankesa në Organin Rregullator të Mediave Elektronike të Serbisë, kundër “televizionit me frekuencë nacionale”, kallëzim penal kundër “mediave” për shkak të nxitjes së urrejtjes racore e fetare, sikurse edhe disa kallëzime kundër personave të caktuar për shkak të “kërcënimeve të pjesëtarëve të ekipit organizativ”.
Situata është e pakrahasueshme kur Festivali mbahet në Kosovë.
Vitin e kaluar ishte mbajtur në Prishtinë. Për dallim prej kryeqytetit serb, nuk kishte asnjë telash në ushtrimin e aktivitetit. Madje, organizatorë e mysafirë ishin mbledhur për të ndezur qirinj para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë solidarizimi me viktimat kur në fillim të majit një 14-vjeçar kishte vrarë 8 nxënës në kryeqytetin serb. Vetë kryetari i rizgjedhur i Beogradit, Aleksandar Shapiq, sivjet i ka fryrë zjarrit kundër shqiptarëve.
“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, kishte thënë Shapiq, duke shtuar se Festivali gjithashtu po tenton që të “falsifikojë dhe ndryshojë drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të ashtuquajturës trashëgimi kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe”.
Por të enjten është vërtetuar edhe një gjë. Vazhdimësia e shtetit serb për të përjashtuar qoftë edhe një grusht shqiptarësh të Kosovës që tentojnë të çojnë një shfaqje, një film e pak muzikë në Serbi.