Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se kundër të pandehurit: A.V. i ka paraqitur sot kërkesë për caktimin e paraburgimit gjyqtarit të Procedurës Paraprake, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Aleksander Vlajiq, është arrestuar të mërkurën në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për spiunazh.
Deri te arrestimi i Vlajiqit ka ardhur pas informacioneve të cilat i ka siguruar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, thuhej se “pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person”.
Pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Aleksandar Vlajiq, të mërkurën në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për spiunazh ka reaguar njohësi i sigurisë, Agim Musliu.
Musliu përmes një postimi në platformën X ka shkruar se Instituti Octopus ka zbuluar se Vlajiq ndante informacione me BIA-në serbe dhe kishte një rrjet të madh burimesh.
“Një tjetër i arrestuar për spiunazh në Kosovë. Këtë herë i arrestuari është serb (Aleksandar Vlajiq), i cili dikur ka shërbyer në inteligjencën e Policisë së Kosovës. Instituti Octopus zbulon se Vlajiq ndante informacione me BIA e Serbisë dhe kishte një rrjet të madh burimesh informacioni”, ka shkruar Musliu.