Dita që shumë shtetas të huaj që jetojnë në Gjermani po prisnin prej kohësh ka ardhur, pasi këtë të enjte hyri në fuqi ligji i ri për shtetësinë. Në një deklaratë për shtyp, ministrja e brendshme, Nancy Faeser, e cilësoi ligjin një reforme që njeh Gjermaninë moderne dhe që do të fuqizojë pozitën e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Në të shkuarën ka pasur shumë debate për ligjin për shtetësinë, të karakterizuara nga propaganda dhe përjashtimi. Këto debate kanë ndodhur në kurriz të atyre që prej vitesh kanë jetuar dhe punuar në shtetin tonë por kurrë nuk e kanë ndjerë plotësisht se e kanë vendin këtu. Kjo reformë u tregon atyre se e kanë vendin në gjermani”, u shpreh Faeser.
Nën ligjin e ri nëse ke të paktën pesë vite që banon në gjermani, ke të drejtë të aplikosh për pasaportë gjermane, pavarësisht statusit të qëndrimit. Nëse tregon se ke shënuar arritje mbresëlënëse në punë apo flet gjermanishten në nivel të lartë, mund të aplikosh për shtetësi pas tre vitesh qëndrimi në gjermani.
Deri tani, të huajt kanë mundur të aplikojnë për shtetësi vetëm pas tetë vitesh qëndrim. Pasaportë gjermane ndërkohë nuk mund të marrin ata që kanë qëndrime antisemitike apo raciste si dhe ata që nuk respektojnë barazinë gjinore apo që jetojnë në bashkësi poligame.
Ata që aplikojnë për pasaportë duket të deklarohen se Izraeli ka të drejtë të ekzistojë, ndryshe nuk e marrin pasaportën. Kjo për të treguar përkushtimin ndaj përgjegjësisë së veçantë historike të Gjermanisë. Fëmijët e prindërve që janë shtetas të huaj marrin nënshtetësinë gjermane nëse njëri nga prindërit ka qëndruar në Gjermani në mënyrë të ligjshme për më shumë se pesë vite. Më parë, kjo ishte e mundur vetëm pas tetë vjetësh.