Policia forcon masat në terren, ndërsa ka gjobitur disa shkelës të rregullave të qarkullimit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se 42 persona u arrestuan, si dhe nisi masa administrative për 27 191 shoferë.
NJOFTIMI I POLICISE
Shërbimet e Policisë Rrugore, vijojnë monitorimin intensiv të qarkullimit në të gjtiha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Monitorimi po kryhet me mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë dhe radarë automatikë, si dhe dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe së fundi dhe teleskopë për të evidentuar përdoruesit e celularit dhe shkelësit e rregullave të tjera të qarkullimit.
Njëkohësisht, janë shtuar patrullat e lëvizshme, të mbështetura nga patrullat e përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, pasi në të gjitha akset rrugore dhe veçanërisht në zonat bregdetare, ka fluks të lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.
Si rezultat, gjatë kësaj jave:
-janë pezulluar 114 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
-janë arrestuar 42 drejtues mjetesh, nga këta 29 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vënë 27 191 masa administrative, nga këto:
* 7333 për shpejtësi tej normave të lejuara;
* 1713 për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;
* 1440 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
* 3143 për parakalime të gabuara;
* 876 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
* 256 për manovra të rrezikshme në rrugë;
* 298 për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
* 10009 për parkim të gabuar;
* 2123 për shkelje të tjera.
Gjithashtu, gjatë javës së ardhshme, shërbimet e Policisë Rrugore do të vijojnë intesivisht monitorimet në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur mjetet inteligjente dhe bazën logjistike bashkëkohore që ka në dispozicion, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për përdorim të rrugëve alternative, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, t’u japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në qendrat urbane dhe akset nacionale. Gjithashtu drejtuesit e kamionëve të zbatojnë me rigorozitet kufizimet e lëvizjes, gjatë fundjavës dhe festave zyrtare. Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.