Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së (FAK) bashkë me shefat e diplomacive të vendeve anëtare të Unionit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në pjesën e mbledhjes së Këshillit në të cilën do të marrë pjesë Mucunski, siç bëri të ditur MPJ, do të flitet për proceset e integrimeve evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për modalitetet për fuqizimin e bashkëpunimit dhe pranisë së BE-së në rajon.
Me mbledhjen e Këshillit kryeson përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel.
Përveç pjesëmarrjes në FAK, në kuadër të vizitës në Luksemburg, Mucunski do të marrë pjesë në audiencë te duka i madh i Luksemburgut, Anri, ndërsa me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme të Luksemburgut, Ksavie Betel edhe në darkë pune me ministrat e punëve të jashtme nga anëtaret e BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mucunski nga Luksemburgu do të udhëtojë për vizitë të parë të punës në Bruksel, në kuadër të së cilës do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.