Në një konferencë së fundi në Berlin, më shumë se 3.000 njerëz nga politika, biznesi dhe fushat e tjera u mblodhën për të biseduar për rindërtimin në Ukrainë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpresoi se do t’i siguronte miliarda dollarë ndihmë për rindërtimin e vendit gjatë – dhe posaçërisht pas – luftës me Rusinë. Në shkurt, një studim nga Kievi dhe Banka Botërore dhe të tjerë, gjeti se rindërtimi në Ukrainë pas luftës do të kushtonte gati 500 miliardë dollarë. Mbase qyteti i portit të Detit Azov, Mariupol, pësoi shkatërrimin më të madh në lindje të vendit nga pushtimi rus i Ukrainës, i cili nisi në shkurt 2022. Qyteti industrial, i cili e kishte një popullsi prej 400.000 banorësh para luftës, u dëmtua jashtëzakonshmit shumë për shkak të luftimeve disamujore kur forcat ruse e rrethuan atë në pranverën e vitit 2022.
Zyrtarët ukrainas nga qyteti thonë se do të nevojiten 20 vjet dhe miliarda dollarë për rindërtimin e tij. Nënkryetari i Mariupolit, Serhiy Orlov, tha për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e qytetit kanë një plan të ndarë në disa faza për rindërtimin e qytetit pas luftës. Faza e parë “mbulon 154 projekte me një çmim të përgjithshëm prej rreth 800 milionë eurosh. Sipas përllogaritjeve tona, Mariupoli do t’i ketë rreth 250.000 njerëz një vit pas çlirimit, dhe ky plan është për atë se si t’i ringjallim bizneset private, transportin, infrastrukturën dhe shtëpitë”.
Faza e mëvonshme përfshin planifikimin urban, tha Orlov, por është e vështirë ta bësh këtë pa qenë i pranishëm në qytet. “Duke marrë parasysh faktin se gjysma e Mariupolit nuk ekziston – dhe nuk do të ekzistojë më si më parë – është e nevojshme ta kemi një vizion hapësinor të qytetit”, tha ai. Duke e parë që forcat ukrainase nuk kanë qenë në gjendje të rimarrin në kontroll shumë territor që nga kundërofensivat e suksesshme në lindje dhe në jug në vjeshtën e vitit 2022, tani për tani çlirimi i Mariupolit nuk duket të jetë afër. Por, Orlov tha se kohëzgjatja e pushtimit rus nuk ndikon në vizionin e rindërtimit. Ai e mori shembull fabrikën e çelikut Azovstal, ku trupat e fundit u mbajtën fort kundër rrethimit rus.
Fabrika Azovstal “është 11 kilometra katror, 1.100 hektarë. Ajo është gërmadhë tani. Pushtuesit nuk po bëjnë asgjë dhe nuk do të bëjnë asgjë. Nga pikëpamja e projekteve praktike, nëse ne do të donim ta ndërtonim një objekt të caktuar social, dhe pushtuesit e kanë ndërtuar një privat atje tashmë, kjo do të ndikonte në projektin specifik, po jo edhe në vizionin për zhvillimin e qytetit. Nuk ndikon në transformimin dhe në këtë vizion të ri urban”, shpjegoi Orlov. Orlov tha se zyrtarët e qytetit po kërkojnë frymëzim nga qytetet e tjera që u shndërruan nga ekonomi të bazuara kryesisht në industri të mëdha, në industri më inovative dhe më të larmishme. Ai i mori shembull qytetet e Gjermanisë si, Lugina Ruhr, qytetet e Evropës lindore si, Ostrava dhe Kosice në Republikën e Çekisë, dhe posaçërisht qytetin Pitsburg në SHBA.
Menjëherë pasi e zunë qytetin në maj 2022, autoritetet ruse njoftuan planet e tyre për rindërtimin e qytetit, në radhë të parë shtëpitë. Një numër i madh i punëtorëve emigrantë u sollën në zonat kryesore ndërtimore. Sipas Orlovit, rusët i ndërtuan 50 ndërtesa të larta banimi në Mariupol – vetëm 5 për qind e atyre që u shkatërruan. “Kur flasim për shkatërrim, ne e dimë sigurt se gjysma e qytetit nuk ekziston. Ta parafytyrojmë: Në Mariupol para luftës kishte 2.200 ndërtesa të larta; 55 për qind e banorëve jetonin në ndërtesa të larta”, tha Orlov. “Pesëdhjetë për qind të tyre nuk janë më, apo 1.100 ndërtesa. Shtatëqind ndërtesa u shkatërruan me themel – jo vetëm që u shkatërruan, por u bënë rrafsh me tokën, sepse pushtuesit po i fshehin këto krime lufte”, tregoi ai.
Orlov theksoi se kur të çlirohet Mariupoli, ndërtesat e reja duhet të inspektohen, dhe se ato që u ndërtuan jashtëligjshëm, apo që nuk i plotësojnë normat ligjore, duhet të shkatërrohen.
“Çfarë duan njerëzit” Vadym Boychenko, kryetar i Mariupolit, është i bindur se ndër faktorët më të rëndësishëm në ringjalljen ekonomike të Mariupolit, janë njerëzit, dhe përderisa qyteti është i pushtuar, duhet bërë gjithçka për t’i mbajtur ukrainasit brenda Ukrainës. “Njerëzit janë faktori i grumbullimit të këtyre resurseve në formë të taksave. Njerëzit janë fitili i rritjes apo mosrritjes së ekonomisë në të ardhmen”, tha ai.
Faktori kryesor i kthimit të njerëzve në vend, është banimi, sipas Boychenko. Krijimi i shtëpive të banimit për ukrainasit është pjesë e luftimit të propagandës ruse, beson ai. “A do të shkojnë njerëzit në Mariupol nëse ne ndërtojmë shtëpi apo banesa cilësore atje? Natyrisht që po, pas çlirimit”, tha Boychenko. “Çfarë po bën Rusia sot? Po ndërton, po ndërton para syrit të kamerës. Fatkeqësisht, sot njerëzit tanë bien në këtë kurth. Kjo, kur u thonë ‘atyre nuk u intereson për juve këtu, por mund të kujdesen për juve atje’, pastaj mijëra njerëz kthehen në Mariupol. Njerëzit i kërkojnë dy gjëra sot – po flas për ata të Mariupolit: vend për të banuar dhe drejtësi”, shtoi ai.