“Junts” çon në Kongresin spanjoll nismën për njohje e shtetit të Kosovës
Grupi parlamentar i partisë katalunase “Junts” planifikon të hedhë në votim javën e ardhshme në seancën plenare të Kongresit spanjoll një propozim jo legjislativ me të cilin dëshiron që qeverisë spanjolle t’i kërkohet të njohë Kosovën si një shtet sovran.
Nisma, e cila do të debatohet të martën e ardhshme, mbron se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me përafërsisht 1.7 milionë banorë”, e cila njihet si shtet i pavarur nga 104 vende, përfshirë 22 anëtarë të BE-së , shkruan ‘Europa Press’.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, megjithëse Serbia vazhdon ta konsiderojë atë një krahinë autonome. Spanja, si Rumania, Sllovakia, Qiproja dhe Greqia, ende nuk e njohin atë si shtet, duke pretenduar se ishte një “akt i njëanshëm” që nuk kishte miratimin e Serbisë.
Përballë kësaj, ‘Junts’ ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë me të, shkruan ky medium.
“Refuzimi spanjoll për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga luftën në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po përjeton me ankth të veçantë”, thekson ‘Junts’ në deklaratën shpjeguese.
Sipas mendimit të kësaj partie, “nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur, siç tregohet në iniciativën, në të cilën ‘Europa Press’ kishte akses, “Spanja tashmë ka marrëdhëniet indirekt me Kosovën” dhe që nga janari i kaluar “Qeveria është detyruar të njohë pasaportat e Kosovës pasi Kosova” iu bashkua regjimit të përjashtimit të vizave për qëndrim të shkurtër në zonën Shengen.
Për të gjitha këto arsye, ‘Junts’ konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëjnë institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikën e Kosovës”.
Në këtë kuptim, teksti i paraqitur thjesht propozon që Kongresi të nxisë “Qeverinë të njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.