Shtetet që zotërojnë armë bërthamore po forcojnë arsenalet e tyre atomike përballë konflikteve të shumta globale, paralajmëron të hënën një raport i ri i Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), i cituar nga dpa.
Numri i kokave bërthamore operacionale është në rritje të vazhdueshme, vëren SIPRI.
“Nëse numri global i kokave bërthamore vazhdon të bjerë ndërsa armët nga periudha e Luftës së Ftohtë po shfuqizohen gradualisht, ne vazhdojmë të konstatojmë, për fat të keq, rritje nga viti në vit të numrit të kokave bërthamore operacionale,” theksoi drejtori i institutit, Dan Smith.
“Kjo tendencë ka të ngjarë të vazhdojë dhe të përshpejtohet në vitet e ardhshme, gjë që është jashtëzakonisht shqetësuese,” shtoi ai.
Numri i armëve bërthamore në zhvillim është gjithashtu në rritje, ndërsa shtetet mbështeten në parandalimin bërthamor, konstaton raporti.
Nga totali i vlerësuar prej 12,121 kokave të regjistruara në mbarë botën në janar, rreth 9,585 bënin pjesë në stoqet e ushtrive për një përdorim të mundshëm.
Rreth 3,904 prej tyre ishin të instaluara në raketa dhe avionë, me 60 më shumë se në janar të vitit të kaluar; sipas raportit, pjesa tjetër ishin të ruajtura në depo qendrore.
Numri global i armëve bërthamore ka qenë në rënie të vazhdueshme për disa dekada, por kryesisht si rezultat i çmontimit gradual të kokave të çaktivizuara nga Rusia dhe SHBA pas Luftës së Ftohtë.
Megjithatë, SIPRI analizon jo vetëm numrin total të kokave, por edhe arsenalet që mund të vendosen. Sipas institutit, nëntë vende kanë armë bërthamore: përveç Rusisë dhe SHBA, këto janë Kina, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe Pakistani, India, Izraeli dhe Koreja e Veriut.
SHBA dhe Rusia vazhdojnë të mbajnë shumicën e kokave bërthamore në shkallë globale. Së bashku, Uashingtoni dhe Moska zotërojnë rreth 90% të kokave bërthamore në botë.
Përveç stoqeve ushtarake, Rusia dhe SHBA kanë secila mbi 1,200 koka të çaktivizuara që po çmontohen gradualisht.
Gjithashtu, sipas raportit, rreth 2,100 koka bërthamore operacionale mbahen në gjendje “alarme të lartë” në raketat balistike, kryesisht në SHBA dhe Rusi.
Për herë të parë, thuhet se edhe Kina disponon disa koka të tilla në gjendje të lartë alarmi.
Arsenali bërthamor i Pekinit është rritur nga 410 koka në janar 2023 në 500 në janar të këtij viti. Kina “po zgjeron arsenalin e saj bërthamor më shpejt se çdo vend tjetër”, tha eksperti i SIPRI Hans Kristensen.
Por “në pothuajse të gjitha shtetet e pajisura me armë bërthamore ekzistojnë ose plane, ose një tendencë e rëndësishme për rritjen e forcave bërthamore,” shtoi ai.
Ekspertët e SIPRI-t kanë vërejtur gjithashtu se si SHBA, ashtu edhe Rusia janë bërë më pak transparente në lidhje me arsenalet e tyre bërthamore pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, niveli i transparencës ka rënë gjithashtu edhe në vendet e tjera të armatosura me armë bërthamore.
Presidenti rus Vladimir Putin pezulloi në shkurt 2023 traktatin e ri START për çarmatimin bërthamor, i vetmi traktat i madh për kontrollin e armëve atomike ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së që mbetet në fuqi. Negociatat për një traktat të ri, duke pasur parasysh se ky do të skadojë në vitin 2026, janë pezulluar gjithashtu.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Rusia hoqi dorë nga ratifikimi i Traktatit për Ndalimin e Plotë të Testeve Bërthamore (CTBT), duke argumentuar se ekzistonte një “pabarazi” me Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk e kanë ratifikuar këtë traktat pas përfundimit të tij në vitin 1996. I nënshkruar nga 187 vende dhe ratifikuar nga 178, CTBT nuk mund të hyjë në fuqi derisa të nënshkruhet dhe ratifikohet nga tetë vende që nuk e kanë nënshkruar dhe ratifikuar. SHBA, Kina, Egjipti, Irani dhe Izraeli e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar. India, Koreja e Veriut dhe Pakistani nuk e kanë nënshkruar fare.
Muajin e kaluar, Rusia njoftoi për organizimin e stërvitjeve me armë bërthamore taktike pranë kufirit me Ukrainën, duke siguruar se bëhej fjalë për një përgjigje ndaj “kërcënimeve” perëndimore.
“Armet bërthamore nuk kanë luajtur një rol kaq të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare që nga Lufta e Ftohtë,” përfundoi drejtori i SIPRI-t për programet mbi armët e shkatërrimit në masë, Wilfred Wan.
“Po jetojmë një nga periudhat më të rrezikshme në historinë e njerëzimit,” paralajmëroi drejtori i SIPRI-t, Dan Smith. “Burimet e paqëndrueshmërisë janë të shumta – rivalitetet politike, pabarazitë ekonomike, shqetësimet ekologjike, përshpejtimi i garës së armatimit. Jemi në prag të humnerës dhe është koha që fuqitë e mëdha të bëjnë një hap prapa dhe të reflektojnë, mundësisht së bashku,” tha ai.