Në mbledhjen e sotme, Kryesia Qendrore e Alternativës ka vendosur kandidatët për disa pozita të rëndësishme ministriale dhe ka diskutuar mbi zhvillime të tjera brenda partisë. Në një votim unanim, Orhan Murtezani, ish-drejtor në MEPSO dhe në Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti, si dhe Sekretar për Marrëdhënie me Publikun dhe zëdhënës i Alternativës, u zgjodh si kandidati i Alternativës për ministër në Ministrinë e Eurointegrimeve.
Në të njëjtën mbledhje, po me vota unanime, Lulzim Aliu, profesor universitar dhe prodekan në Fakultetin Pedagogjik, dhe ish zëvendësministër i Arsimit, u propozua për zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Aliu është aktualisht edhe Sekretar i Sekretariatit të Politikave Strategjike në Alternativë.
Për pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Bashkësive Etnike, u zgjodh Safije Sadiki Shaini, profesoreshë universitare, ish deputete dhe nënkryetare aktuale e Alternativës.
Mbledhja adresoi edhe dorëheqjen e ish-kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, i cili së fundmi u zgjodh si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me qëllim të përfaqësimit më efikas të partisë, Kryesia Qendrore ka vendosur të ftojë Kuvendin Qendror për të marrë vendime për organizimin e një kongresi të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri të Alternativës.