Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, ka thënë se siguria e Kosovës ka rëndësi të madhe për NATO-n.
Në një intervistë për Kosovapressin që është publikuar të shtunën, ai ka theksuar se Ballkani Perëndimor ka potencial të madh për zhvillim, dhe shtroi nevojën edhe për siguri ekonomike.
“Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu. Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri”, ka thënë ai.
Gjatë viteve të luftës 1997-1999, Robertson ishte ministër i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe. Më pas, trashëgoi Havier Solanën në postin e sekretarit gjeneral të NATO-s.
Robertson dënoi edhe sulmin e shtatorit të vjetëm në Banjskë të Zveçanit, të organizuar një grup paraushtarak serb.
“Çdo dhunë duhet të dënohet dhe unë e dënoj atë pa rezerva. Por ne duhet të shohim përfundimisht një fund të dhunës në këtë rajon. Ky rajon ka potencial të madh, por duhet të ndryshojë imazhin e të qenit një zonë problematike”, ka thënë ish-ministri britanik i Mbrojtjes.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Robertson tha se vendet evropiane duhet të bashkohen për të siguruar që presidenti rus, Vladimir Putin të mos ketë sukses. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është zona tjetër ku Putini do që të krijojë probleme.
“Nuk besoj se ekziston rreziku i luftës në Ballkan, por Rusia po ndërhyn në këtë rajon ashtu siç po sulmon Ukrainën. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë. Nëse ai ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe”, ka theksuar Robertson.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vizitoi Kosovën në përvjetorin e 25-të të çlirimit nga Serbia.